Emërimi i veterinerit si zëvendësministër i arsimit nxit debat mbi vizonin e qeverisë Kurti për arsimin

Emërimi i veterinerit Arsim Ademi si zëvendësministër i Arsimit ka ndezur një debat të gjerë në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi vizionin e Qeverisë Kurti për të ardhmen e arsimit. Ky vendim është parë nga shumë ekspertë dhe figura të arsimit si një tregues shqetësues i drejtimit që qeveria po ndjek për këtë sektor jetik për zhvillimin e vendit.

Përfaqësues të Forumit Intelektual, të cilët kanë reaguar menjëherë, kanë theksuar se arsimi kërkon një përqasje të bazuar në ekspertizë specifike dhe përvojë të gjatë në politikëbërjen arsimore. Ndërsa nuk vihet në dyshim profesionalizmi i Ademit në fushën e veterinarisë, pyetja që ngritët është nëse ai ka aftësitë e duhura për të menaxhuar një sektor të ndërlikuar si arsimi.

“Ky emërim është një sinjal i qartë se arsimi nuk po trajtohet si një prioritet kombëtar,” ka deklaruar një përfaqësues i Forumit Intelektual për të shtuar se, në një kohë kur sistemi arsimor në Kosovë përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë mungesën e reformave të thella dhe cilësinë e dobët të mësimdhënies, duhet të kemi drejtues me përvojë dhe vizion, jo individë që nuk kanë as përvojë as ekspertizë të veçantë në këtë fushë.

Kritikët e qeverisë kanë ngritur shqetësime për një krizë vlerash në procesin e emërimeve, duke e cilësuar këtë vendim si një përpjekje për të plotësuar kuotat politike dhe interesat klienteliste në dëm të cilësisë së arsimit.

“Një veprim i tillë është një ofendim për mijëra mësues dhe akademikë të kualifikuar që kanë kontribuuar për vite të tëra në ngritjen e nivelit të arsimit në vend,” thuhet në komunikatë.

Ata pyesin, kur sektori udhëhiqet nga njerëz pa ekspertizë, si mund të presim zhvillim dhe përparim?

Kjo qasje, sipas Forumit Intelektual, minon besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe vë në rrezik të ardhmen e brezave të rinj në Kosovë. Në vend që të ndërtohet një sistem arsimor i bazuar në merita dhe profesionalizëm, duket se arsimi po përdoret si një mjet për përfitime politike afatshkurtra.

Megjithëse Qeveria Kurti ende nuk ka komentuar mbi reagimet publike, kritikët theksojnë se vendime të tilla krijojnë një imazh të dobët për prioritetet e saj dhe tregojnë një mungesë të theksuar serioziteti në trajtimin e sfidave arsimore. Ndërkohë, vëmendja është e përqendruar tek roli që Ademi do të luajë në formësimin e politikave të arsimit dhe si ky emërim do të ndikojë në përmirësimin e sektorit.

Përballë këtyre kritikave, mbetet për t’u parë nëse qeveria do të marrë masa për të siguruar se arsimi në Kosovë do të trajtohet me profesionalizëm dhe seriozitetin që i takon, apo nëse emërime të ngjashme do të vazhdojnë të ndjekin një qasje të papërgjegjshme ndaj një sektori kaq vendimtar për të ardhmen e vendit. /Kosova.info/


Go to TOP