E dhunuara nga pesë persona në Prishtinë ishte e mitur, Prokuroria jep detaje të reja

Një femër në Prishtinë është dhunuar të shtunën nga pesë persona të dyshuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se viktima e cila ishte cak i dhunimit është e mitur.

Në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria kanë bërë të ditur gjithashtu se ndaj dy të arrestuarve prokurori ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka deklaruar Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë në Prishtinë.

Ulaj ka shtuar se ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.

“Meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka thënë ajo.

Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje.

Go to TOP