Dogana: I arrestuari për spiunazh është pushuar nga puna në vitin 2004

Dogana e Kosovës ka lëshuar sot një sqarim, pasi në media ka qarkulluar lajmi se një person me inicialet, B.Sh. i arrestuar për spiunazh, ishte pjesë e Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

“Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në sqarim.

Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.

“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, thuhet tutje në sqarim. /Kosova.info/

Go to TOP