Dy persona ia thyejnë pasqyrat një autobusi në Mitrovicë të Veriut
Policia e Kosovë ka njoftuar se dy persona të cilët kanë folur në gjuhën serbe kanë ndaluar një autobus në Mitrovicë të Veriut dhe më pas ia kanë thyer parafangot dhe pasqyrat.
Siç njoftohet në raportin 24 orësh rasti është raportuar nga shoferi i autobusit.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjersa ai ishte duke drejtuar automjetin transportues/autobus, dy persona të dyshuar meshkuj të cilët kanë folur në gjuhën serbe, kanë dalur nga një veturë dhe me një shkop druri i kanë thyer parafangot dhe pasqyrat e autobusit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Rasti është iniciuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa janë ndërmarrë edhe veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore.