Duarlidhur me Tahir Gecajn!

(Tregim)

Shkruan: Pal ShTUFI

Ishte marsi i vitit 1984. Gjatë vizitave të te burgosurit politikë në Burgun e Qarkut në Prizren, familjarët vazhdimisht sillnin ëmbëlsira dhe ato i konsumonim pa ndonjë kujdes. Aq shumë kisha konsumuar gatime të ëmbla, sa një ditë ndjeva dhimbje të forta dhëmbi… Kërkova nga autoritetet e burgut të shkoja tek dentisti dhe pas dy-tre ditësh u aprovua kërkesa. Erdhën gardianët dhe më morën. Më lidhën duarsh dhe më zbritën në zyrat e burgut. Prita dy-tre minuta në korridor, kur pash që një gardian solli një burrë të prangosur, të moshës rreth 45 vjeç.

Mua m’i hoqën prangat, sikur edhe burrit të pjekur. Na ofruan pranë njëri-tjetrit dhe na lidhën, dorën time të majtë me dorën e djathtë të burrit që tregonte maturi dhe qetësi prej njeriut të pjekur. Fytyra e burrit, me të cilin i kishim duart e lidhura së bashku, ishte e zbehur dhe me shenja të lodhjes, ose nga burgu i gjatë ose nga torturat…

U mundova t’ia qëlloja se me kë më kishin lidhur duarsh. Kot, personin përskaj meje nuk e njihja. Nuk pata as ide kush mund të ishte ai. Në fakt, as kohë për të menduar gjatë nuk pata. Na futën në një fugon të mbyllur me hekura, i cili shërbente për transportin e të burgosurve. Mbetëm vetë, unë dhe burri serioz, i cili kishte një trup të drejt dhe elegant. Sapo u nisë makina, jam prezantuar para njeriut, i cili ishte i lidhur me trupin tim. Ai më tha se quhej Tahir Gecaj. Në atë moment, me dorën time të djathtë e kam përqafuar rrëmbyeshëm Tahirin. Ishte një përqafim impulsiv paksa euforik, tipik i një djaloshi revolucionar. Në anën tjetër, Tahiri reagoi ftohtë dhe kujdesshëm, sepse nuk dinte njeriu se kush isha unë dhe çfarë kërkoja me atë përqafim të çuditshëm. Sjellja e tij ishte tamam e burrit të pjekur dhe të vuajtur. Shumë të vuajtur. Ndonëse mbante kokën lart, shenjë kjo e papërkuljes, fytyra e Tahirit ishte e zverdhur nga vuajtjet e të gjitha llojeve. Gjatë atij udhëtimi të ngujuar në atë makinë hekuri, i thash se kisha dëgjuar për te dhe ndjehesha shumë i lumtur që arrita ta takoja edhe personalisht. Nuk më tha asgjë Tahiri. Ai më bëri vetëm një pyetje: “ke probleme me dhëmbët” dhe heshti. Kur pashë sjelljen e tij të ftohtë dhe të rezervuar, tek atëherë mendova se njeriu që kisha pranë, nuk më njihte dhe se sjellja ime, sado dashamirëse, mund të ishte e dyshimtë për te. Por ky mendim tanimë ishte i vonuar. Unë kisha “sulmuar” tashmë njeriun me përqafime dhe ngazëllime. Mendoj se u ndikova, si nga emri që i kishte dalë gjithandej, ashtu edhe nga fytyra e tij serioze. Isha mësuar të shihja të burgosur politik shumë të papjekur, prandaj kur takova të burgosur politik të asaj moshe dhe pjekurie emocionale, nuk u përmbajta dot.

Çudia e asaj dite

Fugoni i hekurt u ndalua rreth 50-60 metra larg hyrjes në ambulanten e qytetit. Gardianët na hapen derën dhe duarlidhur me Tahirin filluam të ecnim rrugës kryesore të qytetit. Dhe, do ti, ndodhi një çudi e rrallë. Gjatë asaj ecjeje me Tahirin dhe dy gardianët, përballë shoh Bafti Aliun, shokun e grupit tim, i cili me gjasë ende ishte në ankth se mos do të flisja për te dhe veprën e tij. Kur e pashë atë njeri, nuk munda të përmbahesha. Me zë e kam përshëndetur: “tungjatjeta Bafti”, por ai uli kokën dhe nuk deshi të më përshëndeste. Vazhdoi udhës së tij. Kokëulur. E kuprova drejt. Ende ishte i frikësuar dhe mua më erdhi keq tani që e pashë, sepse ai as që kishte ide se unë isha duarlidhur dhe shkoja në ambulanten e qytetit. Ecnim udhës me Tahirin dhe fare nuk dallohej që kishim duart e lidhura me njëri-tjetrin, prandaj Baftiu fare lehtë ka mundur të dyshonte se unë shëtisja udhëve të Prizrenit me dy gardianë të burgut dhe me një civil elegant e kryelartë…!

Sidoqoftë, atë ditë i rregulluam dhëmbët dhe u kthyem sërish në burg. As gjatë kthimit, Tahiri nuk fliste me mua. Vazhdonte të mbahej i kujdesshëm dhe këtë gjë ia pëlqeva shumë. Aq shumë ia pëlqeva qëndrimin dhe seriozitetin, sa në ditët dhe muajt që pasuan mundohesha të veproja si ai. Po piqesha si hekurat që na shtrëngonin, prandaj ishte e natyrshme të mësoja nga një njeri i kulturuar dhe u dinjitetshëm, siç ishte Tahir Gecaj.

_____________

Tahirit i dëshiroj pleqëri të shëndetshme, të qetë e të praruar me dashuri familjare!

Go to TOP