Drama e familjes Saka në Fier, vite më parë një tjetër fëmijë iu mbyt në vendin ku humbi jetën 14-vjeçari

14-vjeçari i zhdukur ditën e djeshme u gjet i pajetë në lumin Seman pas shumë orë kërkimesh, ndërsa në pah kanë dalë shumë ngjarje tragjike që kanë prekur familjen Saka në Fier.

Një banore e zonës ka treguar se para 12 vitesh një djalë tjetër që ishte vetëm në klasë të parë është mbytur në të njëjtën mënyrë.

“Dje humbi një djalë 14 vjeç, hidhej në klasën e nëntë së bashku me vajzën time. Ky është fëmija i dytë i familjes që është mbytur, para 12 vitesh u mbyt fëmija tjetër në klasën e parë”, tha banorja.

Gjithashtu drama e familjes nuk përfundon pasi përveç vështirësive të mëdha ekonomike dhe tragjedive të njëpasnjëshme, para një viti iu vdiq edhe i ati.

“Para një viti vdiq i ati. Një familje me shumë probleme. Është një traumë një dhimbje shumë e madhe për atë nënë. Edhe shtëpinë bashkia ia bëri sepse nuk kishin mundësi ekonomike, ishin nëntë fëmijë”, u shpreh ajo.

Djali kishte 12 orë i zhdukur përpara se të lajmërohej policia pasditen e djeshme, ndërsa trupi është gjetur vetëm një kilometër larg vendit ku peshkonte.

“Kishte 12 orë që kishte humbur dhe sapo është lajmëruar policia ka ardhur direkt. I njëjti fat si është mbytur fëmija tjetër. Nuk di është një dhimbje shumë e madhe”, shtoi më tej banorja. 

Go to TOP