Dorëzimi i opozitës para kohe ndaj makinerisë së Kurtit

Shkruan: Emanuel DEMAJ

Vërtet, Vetëvendosje erdhi në pushtet me zhurmën e flamurit kuq e zi, me kombëtarizmin e tyre që tundte sallat dhe sheshet, por Albin Kurti po e mban stafeten, dhe duket se edhe për disa vite të tjera do të vazhdojë kështu, me të mirat dhe të këqijat e tij.

E kam shumë të vështirë të kuptoj se si këta opozitarë mendojnë se do ta ndalin makinën politike të Albin Kurtit duke thirrur emrin e Martin Berishës e disa skandale tjera dhe duke vajtuar me lot krokodili. Me sa duket, ata nuk kanë alternativa konkrete për të ndalur hovin e kësaj makinerie që po ecën me ritëm të shpejtë, sipas të gjitha analizave dhe realitetit në terren.

O burrë, më vjen keq, por duket sikur jeni dorëzuar para kohe. Imagjinoni, kandidatët për deputetë thonë: “Edhe një mandat po e merr Albini. A thua ne do dalim të dytët apo të tretët?” Jo një, por shumica e tyre! Kjo do të thotë se ia keni dorëzuar stafeten Albinit para datës 9 shkurt!

Sipas asaj që po shifet këtu, gara për të parin ka mbaruar. Tani e gjithë lufta po bëhet mes PDK-së dhe LDK-së për të parë se cila do të dalë e dyta. Për të parin, edhe vetë opozita e di, siç po e thonë ata vetë jashtë kamerave.

Ndoshta duhet të rikonsideroni strategjinë tuaj, sepse qartësisht, lotët krokodili dhe thirrjet për emra të së kaluarës nuk po funksionojnë. Të paktën për hir të publikut, bëni pak përpjekje për të krijuar një plan konkret, ndryshe do të vazhdoni të mbeteni në hije të makinës së Kurtit, duke parë si i ndriçon drita e fitores mandat pas mandati.

Go to TOP