Dorëheqjet në veri, U.d i Kryeprokurorit të Shtetit shqyrton transferimin e prokurorëve nga qytetet tjera
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi sot ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Kështë është bërë e ditur përmes një komunikate për media.
“Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Armend Zenelaj, U.D. Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi dhe zyrtarë tjerë ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas situatës së krijuar me ofrimin e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb.”
Sipas komunikatës, Kelmendi u njoftuar nga kryeprokurori Ismet Ujkani për “veprimet e ndërmarra nga ai, gjendjen e krijuar, sfidat dhe nevojat e kësaj prokurorie në përballimin dhe tejkalimin e vështirësive që janë paraqitur pas situatës së fundit, ku së bashku diskutuan gjetjen e modaliteteve për vazhdimin dhe menaxhimin sa më të mirë të punës, veçmas të trajtimit të lëndëve me natyrë urgjente”.
Në këtë komunikatë thuhet se Kelmendi shqyrtoi mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për këtë prokurori, përfshirë edhe transferimin e prokurorëve nga prokuroritë e tjera.
“Më këtë rast, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, shqyrtoi të gjitha mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për këtë prokurori në bazë të kompetencave të tij, duke përfshirë edhe transferimin e jashtëzakonshëm të prokurorëve nga prokuroritë e tjera për mbarëvajtjen sa më efikase të punës në funksion të sundimit të ligjit. Ndërsa, përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, u zotuan se do të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e kushteve të nevojshme me qëllim që Prokuroria Themelore në Mitrovicë të funksionoj sa më mirë dhe të mos krijohet asnjë zbrazëti në procesin e punës.”

