Biden do të bisedojë me Xi për Korenë e Veriut

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka arritur në Azi, dhe është zotuar se do t’i kërkojë liderit kinez, Xi Jinping, të frenohet në Korenë e Veriut, kur të takohen në takimin e parë kokë më kokë në samitin e G20-s që mbahet javën e ardhshme.

Biden u takua me liderët e Azisë Juglindore para se të takohet me hologun kinez të hënën në Bali.

Takimi mes dy fuqive vjen pas një sërë testimesh të raketave të kryera nga Koreja e Veriut, që kanë rritur frikën se Phenjani mund të kryejë shpejtë testimin e shtatë bërthamor.

Në takimin me liderin kinez, Biden do t’i thotë atij se Kina – aleatja kryesore e Koresë së Veriut – ka “interes për të luajtur rol konstruktiv që Koreja e Veriut të përmbahet nga tendencat e këqija”, tha për gazetarët këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Biden po ashtu do t’i thotë Xi-së që nëse lëshimet e raketave nga Koreja e Veriut shpeshtohen “kjo do të nënkuptojë prezencë më të fortë ushtrake dhe të sigurisë së SHBA-së në rajon”.

“Koreja e Veriut përfaqëson kërcënim jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për Korenë e Jugut dhe Japoninë, por për paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin”, tha Sullivan.

Por, sipas Sullivanit, i takon Kinës nëse dëshiron që të rrisë prezencën në Korenë e Veriut.

Biden dhe Xi gjatë samitit të G20-s do të flasin përtej politikave të brendshme.
Përveç me liderin kinez, Biden do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, para se të niset për samitin e APEC-ut.

Në samitin e G20-s nuk do të marrë pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili është përballur me dënime dhe sanksione nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në vend të Putinit, Rusinë në këtë samit do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

Ndërkaq, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë virtualisht në samitin e G20-s.

Go to TOP