Dita e Veteranëve, Qeriqi: Shumë luftëtarë janë në gjendje të rëndë ekonomike e shëndetësore

Në Kosovë sot shënohet “Dita e Veteranit”, në përkujtim të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sakrifica e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se do të shërbejë si udhërrëfyes për forcimin e shtetit.

Por vlerësimi që po i bëhet, veteranët hiq nuk janë të kënaqur.

Xhevdet QeriqiKryetar i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së, shpreson se në të ardhmen do të merren më seriozisht nga shteti me trajtim më të dinjitetshëm.

“Veteranët e luftës nuk po vlerësohen aq sa e meritojnë për arsye se kanë dhënë një kontribut, një sakrificë, një pjesë e tyre kanë derdh gjak për lirinë e tyre, por po shpresojmë që në të ardhmen institucionet e Republikës së Kosovës do të merren më seriozisht dhe do t’i trajtojnë dinjitetshëm këtë kategori të luftës”, tha ai.

Ai për Front Online thotë se veteranët duhet të trajtohen ashtu siç e meritojnë.

Qeriqi thotë se një pjesë e luftëtarëve po përballen me gjendje të rëndë ekonomike e shëndetësore.

“Mendoj se institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta kenë parasysh se është një kategori që ka dhënë shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe kështu që të ndërmarrin hapa t’i trajtojnë ashtu siç e meritojnë, pra më dinjitetshëm për arsye se kemi shumë luftëtarë të cilët po përballen me gjendje të rëndë ekonomike, pastaj shëndetësore, e kemi një pjesë të tyre që po përballet me strehim, kështu që është e domosdoshme që institucionet e Republikës së Kosovës të merren më seriozisht me këtë kategori”, deklaroi ai.

Kërkesat e tyre janë adresuar vazhdimisht drejt Qeverisë, por që asnjëherë nuk janë marr parasysh.

Qeriqi thotë se asnjë hap nuk është bë për ta përmirësuar gjendjen e kësaj kategorie.

“Po unë i kam pasur gjatë këtij mandati të qeverisë Kurti, dy takime me kryeministrin Kurti edhe ia kam paraqitur kërkesat, shqetësimet për këtë kategori edhe me gojë por edhe me shkrim, do të thotë kemi diskutuar gjerë e gjatë, mirëpo deri më sot nuk ka që është marrë ndonjë hap për përmirësimin e gjendjes së këtyre kategorive”, u shpreh ai.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Go to TOP