Disleksia synohet të perceptohet si dembelizëm

Disleksia, si çrregullim, shumë pak është e njohur në mesin e prindërve, ndërkohë që organizatat joqeveritare në bazë të hulumtimeve që kanë realizuar, thonë se më shumë se 12 për qind e popullatës është me disleksi – nga stadet më të lehta deri tek ato më të rënduarat.

Disleksia paraqet çrregullim gjatë të mësuarit të shkronjave dhe numrave, e cila karakterizohet me shfaqjen e vështirësive në lexim, pavarësisht faktit se këta persona kanë inteligjencë normale.

Marija M., nënë e një fëmije dislektik, thotë për Radion Evropa e Lirë se për këtë problem ajo ka mësuar pas vështirësive që ka hasur vajza e saj gjatë procesit mësimor, përkatësisht në momentin që ka filluar t’i mësojë shkronjat.

“Në momentin që erdhën leksionet për shkronjat, vajza pësoi një thyerje, i mësonte dhe pastaj të nesërmen nuk i mbante mend, ose i shkruante mbrapsht. Më pas e mbaj mend se kishte një test, të cilit i nënshtroheshin fëmijët. Më kujtohet se për një kohë të caktuar ata duhej të lexojnë 60 fjalë, por vajza ime mezi arrinte të lexonte 7 fjalë. Kjo për ne ishte sinjal se duhet të kërkojmë ndihmë profesionale”, tregon ajo përvojën me vajzën që është diagnostikuar me disleksi.

Pas kësaj ajo është përballur me një kalvar sfidash për të gjetur profesionistë të specializuar në këtë lëmi. Zgjidhja kryesore mbetet që t’i regjistrojë mësimet dhe më pas duke i dëgjuar vajza e saj t’i mësojë njësitë e caktuara mësimore.

Por, këtë fat nuk e kanë shumë fëmijë të moshës shkollore pasi vështirësitë gjatë leximit pjesa më e madhe e prindërve ia përshkruajnë dembelizmit të fëmijëve të tyre ose ngatërresës me gjuhët e huaja.

Edlira Destani, psikologe për fëmijë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në qendrën, të cilën ajo e drejton, “Duam Ylberin”, kur vijnë për të kërkuar ndihmë, prindërit zakonisht refuzojnë ta pranojnë se fëmijët e tyre janë dislektikë duke theksuar se mbase janë më dembelë.

“Prindërit nuk janë gjithmonë të gatshëm për të marrë seriozisht disleksinë, sepse thonë se fëmijët e tyre janë inteligjentë, mund të bëjnë gjithçka vetëm se nuk duan. Por, duke parë se kapaciteti i shkrim-leximit te këta fëmijë është shumë i vogël dhe fëmija është mjaftueshëm inteligjent që ta kuptojë se nuk po shkon si duhet me të, ulet vetëbesimi, ulet niveli i perfomancës në punë dhe nuk marrin guximin për të pranuar se duhet punuar shumë më shumë për të arritur deri te rezultatet e caktuara”, thotë Destani.

Organizata joqeveritare “Ajnshtajni” është formuar si rrjedhojë e mungesës së informacioneve për prindërit që përballen me këtë sfidë me fëmijët e tyre.

Kryetari i kësaj organizate që funksionon tashmë dhjetë vjet, Damjan Nikollovski, thotë se në bazë të një hulumtimi që kanë realizuar si organizatë, 12.2 për qind e popullatës ka probleme me disleksinë.

Nikollovski thotë se numri i qytetarëve me këtë problem përkon me përqindjen e vendeve të botës. Mirëpo, shton se në Maqedoninë e Veriut ky problem është në hapat e parë të detektimit të disleksisë, si çrregullim dhe trajtimin e këtij problem si të tillë, dhe jo se kemi të bëjmë me persona përtacë që s’i duan librat.

“Shumë e rëndësishme është përfshirja e autoriteteve dhe të gjitha institucioneve që janë nën kompetencë të arsimit. Kjo sepse për të pasur sistem arsimor inkluziv edhe për fëmijët dislektikë, nevojitet edukimi i kuadrit mësimor si t’i detektojnë këta fëmijë dhe më pas si t’u qasen duke ua ofruar ndihmën e duhur”, thotë Nikollovski për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se nëse jepet ndihma e duhur, ka shumë raste kur këta persona pavarësisht se janë dislektikë dhe vështirë arrijnë të lexojnë, ata mund të jenë shumë të suksesshëm gjatë jetës në ushtrimin e shumë profesioneve.

Nikollovski thotë se në shoqatën që në fokus ka personat me disleksi, bën pjesë dhe kryetari i një komune që personalisht disa herë ka theksuar se ndihma e prindërve ka bërë që ai problemin me të lexuarit ta tejkalojë pa e penguar kjo në procesin edukativ-arsimor.

Por, mungesa e kuadrit profesional në shkolla duket se është evidente dhe kjo bën që disleksia, në pjesën më të madhe të rasteve, të kalojë pa u diagnostikuar dhe si e tillë edhe pa u trajtuar. Kështu që, vështirësitë e leximit te fëmijët vazhdojnë edhe në moshë të rritur.

Sihana Kaba-Kasami, drejtoreshë e një shkolle fillore në Tetovë, thotë se përdorimi i tepruar i mjeteve teknologjike bën që fëmijët në klasë të parë të vijnë me shumë probleme, si mungesa e fokusimit dhe mosnjohja mirë e gjuhës amtare. Kjo e bën të vështirë diagnostikimin e problemeve eventuale të fëmijëve.

“Nxënësit e klasës së parë dhe të dytë nuk e flasin si duhet gjuhën e nënës krahas asaj që nuk arrijnë t’i shqiptojnë drejt fjalët e caktuara. Ata mes vete, njëri me tjetrin, flasin në gjuhën angleze. Shkolla jonë ka staf mësimor megjithëse nuk është i kompletuar për t’i trajtuar këto çështje”, thotë Sihana Kaba-Kasami.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Arsimit se në ç’mënyrë i ndihmon fëmijët me disleksi dhe nëse kanë të dhëna sa është numri i tyre, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Go to TOP