Detyroi miliona njerëz të evakuohen, shkaktoi viktima dhe la qindra mijëra pa energji elektrike – pamjet e pasojave të tajfunit në Japoni
Një tajfun i fuqishëm ka detyruar 9 milionë njerëz të evakuohen në Japoni, duke lënë të paktën dy të vdekur dhe qindra mijëra të tjerë pa energji elektrike.
Sipas mediave të huaja, nëntë milionë njerëzve në Japoni u është thënë të evakuohen nga shtëpitë e tyre pasi vendi është goditur nga një nga tajfunet më të këqij në historinë e tij, duke vrarë dy persona dhe duke lënë 300,000 shtëpi pa energji elektrike.
Gati 90 persona janë lënduar nga tajfuni Nanmadol, i cili solli erëra të egra deri në 233 km/h dhe reshje rekord shiu në perëndim të vendit.
Transporti është ndërprerë, prodhuesit janë detyruar të pezullojnë operacionet dhe dhjetëra mijëra njerëz e kaluan natën e kaluar në strehimore emergjente.
Ndërsa perandori i Japonisë Naruhito dhe perandoresha Masako ishin në Londër për të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës në Westminster Abbey, kryeministri Fumio Kishida vonoi nisjen e tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të vlerësuar dëmet nga tajfuni i 14-të japonez i sezonit.
Kompania e hekurudhave Kyushu tha se kishte ndalur operimet e trenave me shpejtësi të lartë dhe të rregullt, ndërsa Japan Airlines dhe ANA Holdings anuluan rreth 800 fluturime, raportoi NHK.
Gjithashtu edhe Toyota ka pezulluar turnet e natës në 24 linja në 12 nga fabrikat e saj vendase këtë mbrëmje, tha një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se kompania planifikoi të kompensojë prodhimin e humbur me orët jashtë orarit dhe operacionet gjatë festave.
