Detaje të reja për aksionin kundër fajdeve dhe arrestimin e Mulollit
Policia e Kosovës ka thënë se ka sekuestruar dy vetura, tri armë zjarri dhe disa sende të tjera gjatë kontrollit në disa lokacione, në një aksion kundër fajdeve të mërkurën, në të cilën u prangosën katër persona.
Një nga të arrestuarit ishte edhe Bashkim Mulolli, një biznesmen nga Podujeva, i përfshirë në aferën e përgjimit të Lavdim Krasniqit, ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.
Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Kosovës ka arrestuar Mulollin nën dyshimet për fajde. Bashkë me të janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.
Në raportin e policisë, thuhet se gjatë kontrollit në shtatë lokacione, janë sekuestruar dy vetura, tri armë zjarri, 147 fishekë, gjashtë aparate të lojërave të fatit, 15 telefona dhe kompjuterë.
I njëjti raport tregon se katër të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
“Podujevë, Vushtrri, Lipjan 17.05.2023 – 06:00. Gjatë një operacioni policor në dy regjione është bërë kontrolli në shtatë lokacione banimi dhe janë arrestuar katër persona të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy vetura, tri armë zjarri, 147 fishekë, gjashtë aparate të lojërave të fatit, një DVR video incizime, pesëmbëdhjetë telefona dhe nëntë shtëpiza kompjuteri. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
