Dërgohet në mbajtje njëri nga të plagosurit në Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njëri prej personave që është plagosur nga të shtënat me armë të martën në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë është dërguar në mbajtje. 

Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se i dyshuari fillimisht është intervistuar.

“Lidhur me rastin i dyshuari mashkull kosovar  i cili po ashtu ishte duke u trajtuar në QKUK është intervistuar dhe me  vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në këtë rast kanë vdekur dy persona.

“Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur E. H, mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur”, ka njoftuar dje Policia e Kosovës.

Sipas Policisë gruaja që humbi jetën ka qenë kalimtare rasti në momentin kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit.

“E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast”, ka njoftuar tutje Policia. /Kosova.info/

Go to TOP