Deputetja e VV-së: Plani franko-gjerman nuk e ka në qendër njohjen por çon drejt saj

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se plani franko-gjerman edhe pse në qendër nuk e ka njohjen, megjithatë çon drejt njohjes.

Ajo ka thënë se njohja mes dy vendëve është e vetmja mundësi për ndaljen e konfliktit shumëvjeçar.

“Në momentin kur ai implementohet si i tillë, si plan çon drejt njohjes reciproke që do të duhej të ndodhte në fund të këtij procesi sepse është e pashmangshme njohja, sepse ndryshe nuk ka mundësi, nuk përmbyllet ky konflikti jonë shumëvjeçar me Serbinë po nuk shkuam drejt njohjes reciproke”, ka thënë ajo.

Këtë plan ajo e ka vlerësuar si të mirë, marrë parasysh faktin që në njërën prej pikave të saj kërkohet që shtetet t’i heqin ambiciet territoriale ndaj njëra-tjetrës

“Njëra prej të cilave që është shumë e rëndësishme për shembull është fakti që aty kërkohet që shtetet t’i heqin ambiciet territoriale ndaj njëra-tjetrës dhe pa dyshim i referohet Serbisë. Kjo ka qenë po besoj edhe arsyeja që ata prej fillimit e kanë refuzu si të tillë”, ka shtuar ajo.

“Synimi ynë ka qenë të diskutojmë mbi këtë plan, të shohim cila do të jetë mënyra se si do të dialogojmë mbi këtë plan, t’i rregullojmë ato çështjet për të cilat kemi thënë se kemi dyshime, në mënyrë që ky plan të jetë i zbatueshëm për vendin tonë të paktën”.

Sipas saj bllokimi që Serbia i ka bërë këtij plani ka ndikuar që të ngecet tek Asociacioni.

“Por bllokimi që është tregu prej Serbisë, e ka bërë të pamundur të nis diskutimi mbi planin franko-gjerman. Dhe çka ka ndodh, kemi ngec te Asociacioni”, ka shtuar ajo.

Go to TOP