Deco: Klubi ka nevojë të rindërtohet
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e ka pranuar se klubi mund të detyrohet të shesë lojtarë në afatin kalimtar të janarit, për të siguruar mjete financiare që do të mbështesin projektet aktuale, përfshirë rinovimin e “Spotify Camp Nou”.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur Barcelona vazhdon të përballet me kufizime ekonomike, të cilat e detyrojnë klubin të analizojë me kujdes çdo lëvizje në tregun e transferimeve.
“Klubi ka nevojë të rindërtohet. Është një proces hap pas hapi. Presidenti ka treguar guxim të madh, duke marrë përsipër të përballojë rikonstruktimin e skuadrës, stadiumit dhe financave – gjë që nuk është e lehtë. Por klubi është në rrugën e duhur,” theksoi Deco.
Drejtori sportiv vlerësoi nivelin e lartë të talenteve të akademisë La Masia, duke theksuar se prania e tyre zvogëlon nevojën për të kërkuar përforcime jashtë klubit.
“Si drejtor sportiv, duhet të analizosh atë që ke në klub para se të dalësh në treg. Kur ke lojtarë si Lamine, Cubarsi, Gavi, Balde apo Marc Casado… janë lojtarë të rëndësishëm për ne dhe nuk ke gjithmonë nevojë të nënshkruash me të tjerë”, tha ai.
Edhe pse Barcelona nuk preferon të shesë futbollistë, Deco pranoi se në disa situata, kjo bëhet e domosdoshme.
“Ideja jonë kryesore nuk është të shesim lojtarë; Barcelona nuk është klub që e pëlqen këtë. Por, sigurisht, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, sepse ndonjëherë është e nevojshme. Për të shitur lojtarë të rinj, duhet kontroll dhe planifikim – duhet t’i kushtojmë vëmendje kontratave dhe të ardhmes së tyre”, ka theksuar ai.
