Debat mes anëtarëve të KPK-së, dy prej tyre kontestojnë mandatin e njëri-tjetrit
Mbledhja e 252 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është shoqëruar me polemika mes anëtarit të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi dhe atij nga Prokuroria Speciale, Milot Krasniqi, lidhur me ligjshmërinë e mandateve të tyre si anëtarë të KPK-së.
Diskutimi mes tyre ndodhi kur po trajtohen çështja e përbërjes së anëtarëve të Komisionit për Çështje Normative.
Fillimisht prokurori Krasniqi tha se pozita e Visar Krasniqit si anëtar është kontestuese.
“Për Visarin mendoj se mandati është i kontestueshëm dhe edhe për pagë është kriju pabarazi sepse mendoj se s’ ka qenë vendim i duhur. I mbete këshillit kjo se a po i trajton barabartë këta anëtar joprokuror”, tha Milot Krasniqi.
Ndërkaq, Visar Krasniq me të marrë fjalë tha se pozita e tij si anëtar i KPK-së është e ligjshme dhe se është zgjedhur me votat e 74 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se pikërisht pozita e anëtarit të KPK-së Milot Krasniqi duhet të diskutohet pasi që nuk është respektuar kuota gjinore kur i njëjti ishte zgjedhur anëtar i KPK-së.
“Nëse do të hapet kjo, ligji ka parapa një kuot kur ju jeni zgjedh, unë me 74 vota jam zgjedh e ti se di me sa. Shumë më pastër ligjërisht jam une sesa ti”, tha Visar Krasniqi.
Kujtojmë se Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe INPO kishin reaguar kur ishte zgjedhur anëtar i KPK-së Milot Krasniqi duke kërkuar që të respektohet kuota gjinore siç edhe rregullorja e KPK-së 06/2020.
Lidhur me diskutimin për pagën e Visar Krasniqit si anëtar i KPK-së, u.d së Kryeprokurorit, Besim Kelmendi tha se Këshilli nuk i ka caktuar pagë asnjë anëtari të KPK-së me emër e mbiemër por se Ligji për Paga i ka specifikuar të gjitha rrethanat.
Paraprakisht, në këtë mbledhje u diskutua përbërja e anëtarëve të Komisionit për Çështje Normative, ku me kërkesën e kryesuesit Ardian Hajdaraj, anëtari i KPK-së Armend Zenelaj propozoi që anëtar të këtij komisioni të jenë Dardan Vuniqi dhe Musrafë Nuhiu.
Mirëpo, anëtari tjetër i KPK-së Veton Shabani e kundërshtoi një propozim të tillë duke kërkuar që në vend të Mustafë Nuhiut të jetë Visar Krasniqi pasi që provoja e tij në ligjbërje është e madhe e me të cilin mendim u pajtua edhe Kryeprokurori, Besim Kelmendi e Arian Gashi si anëtar të KPK-së.
Ndryshe, vetë anëtari i KPK-së, nga radha e Odës së Avokatëve, Mustafë Nuhiu tha se për shkak të angazhimeve nuk mund të jetë anëtar i këtij komisioni dhe përkrahu propozimin që Visar Krasniqi të jetë anëtar.
