Qeveria jep detaje se çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Lajçak
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Përmes një komunikate për media është njoftuar se, në takim është potencuar vullneti dhe gatishmëria e Kosovës për t’u angazhuar në dialog parimor, nda i cili do të përfitojnë qytetarët e të dyja palëve.
Po ashtu është biseduar edhe për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet pos tjerash në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák
Prishtinë, 15 shtator 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.
U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan z. Lajčák për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces.
