Rrëfimi tronditës i Medinë Dautit: Për 3 vite ngacmim të vazhdueshëm seksual nga ish-arsimtari, u dënua veç me 1200 euro gjobë
Medinë Dauti ka vendosur që t’i hap letrat e saj, duke treguar në detaje vështirësitë dhe peripecitë e saj për tri vite nga ish-arsimtari i saj, Kastriot Kurti.
Ajo madje ka theksuar se për tri vite të vazhdueshme të ngacmimit seksual ndaj saj, Gjykata e Gjilanit e ka dënuar arsimtarin vetëm me 1200 euro gjobë.
“Çfarë ka ndodhur me mua në tri vitet e ngacmimit seksual të vazhdueshëm? Jam izoluar gjatë tërë kësaj kohe dhe kam reduktuar kontaktin tim me botën. Asnjëherë s’kam guxuar të dal shlirë e vetme! Një situatë si kjo që të bën të ndihesh se nuk do të mbarojë kurrë, që të bën të mendosh se është fundi i botës dhe pret dita e ditës që ngacmuesi do të shfaqet dhe do t’i bëj gjërat më të tmerrshme ashtu siç i ka shprehur në mesazhe – është ngulfatje dhe terrorizim i komplet qenies sime! Veprimet e tij më kanë cënuar thellësisht integritetin tim seksual dhe psiqik; gjendja ime emocionale ka qenë dhe vazhdon të jetë e rënduar për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm.
Pas krejt kësaj katrahure me frikë, ankth e shqetësim të vazhdueshëm, vendosa t’i drejtohem organeve të drejtësisë – pavarësisht dilemave që i kisha në funksionimin e tyre. Fatkeqësisht, të gjitha këto dilema që doja t’i sfidoja dhe doja që të më vërtetohej e kundërta – përfaqësuesit seksistë të këtyre institucioneve në Gjilan, më përplasën për fytyre realitetin që veç se e dija.”, ka shkruar mes tjerash Medina.
“Gjoba 1200 euro është thellësisht denigruese për mua! Unë kam zgjedhë (me 1 milion dilema) ta raportoj ngacmuesin, ku më kanë mbështetë jashtëzakonisht rrethi i ngushtë, por çfarë ndodhë me vajzat e tjera të cilat nuk i kanë privilegjet që unë i kam gjatë këtij rrugëtimi? Trajtimi i tillë i rasteve nga organet e drejtësisë vetëm se e thellon më shumë kulturën e heshtjes tek viktimat. Gjoba 1200 euro është legjitimim i ngacmimit seksual nga ana e gjykatës, dhe ekskluzivisht, Gjyqtari Rilind Sermaxhaj, ia mundësoi një ngacmuesi që t’i ikë dënimit të merituar. Zoti gjykatës, sinqerisht po ju pyes në dorë të kujt është siguria ime tash? Në të shtetit po e di që jo, se ju e dorëzuat atë në dorë të ngacmuesit.
Unë nuk jam veç një rast tjetër në tavolinat e institucioneve seksiste, cënimi i dinjitetit tim nuk është hajgare. Shndërrimi i hapësirës publike e private në hapësira frikësuese e terrorizuese për tri vite, nuk kushton 1 euro në ditë. Ngacmimi seksual nuk është veç ngacmim e as fajtorët nuk duhet dënuar me dënime qesharake.
Por, neglizhenca me të cilën u përballa nuk më zmbrapsë. Përkundrazi. Është detyrë e imja që të mos pajtohem me trajtimin skandaloz te rastit, andaj unë do ta vazhdoj procesin me ankesë në Gjykatën e Apelit për gjobën skandaloze.
Unë besoj që secila grua e vajzë duhet të jetojë pa frikë nga të tjerët dhe pa iu cënuar autonomia individuale. Pikërisht për këtë, nuk do të ndalem deri sa e drejta ime për gjykim të drejtë të vie në vend: Për mua dhe për krejt vajzat e gratë tjera të Kosovës.
Sqarim: Pretendimi i Avokatit Sherif Sherifi (përfaqësues ligjor i K.K) se i pandehuri nuk ka qenë arsimtar direkt në klasën time është tentim i kotë për ta shmangur nga përgjegjësia personin që e përfaqëson. Unë takimin e parë me të e kam pasur në cilësi të arsimtarit ku ai ka mbajtur orë në klasën time si arsimtar zëvëndësues. Nuk ka fare rëndësi se në cilën klasë ka mbajtur mësim të rregullt, ai ka qenë arsimtar në institucionin ku unë vijoja mësimin.”, ka rrëfyer ajo në rrjetin e saj social vështirësitë që ka pasur nga Kurti, ku organet përgjegjëse me vendimet e marra, janë tallur më të.
Postimi i plotë, pa asnjë ndërhyrje:

