“CorrWatch” dyshon për vepër penale në konkursin për Drejtor të FSSh-së, kërkon anulimin e tij
Konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch”, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me konkursin për pozitën “Drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore” dhe kërkon anulimin e këtij konkursi.
Përmes këtij reagimi, “CorrWatch” kërkoi që institucioni publik ta anulojë këtë konkurs dhe i njëjti të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për të siguruar meritokraci.
“Në të kundërtën, ‘CorrWatch’ i bën thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për këtë rast, shkaku i plotësimit të elementeve të veprës penale që ka të bëjë me moszbatimin e legjislacionit të punësimit ashtu siç përcaktohet në nenin 218 të Kodit Penal”, ka theksuar “CorrWatch”.
Ky grup ndër të tjera konsideron se kërkesa e përgjithshme e paraqitur në konkurs, më konkretisht ulja e përvojës së punës, “është në kundërshtim me Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil”.
“Më saktësisht, me konkursin e ri kërkohen së paku pesë (5) vite përvojë pune profesionale dhe dy (2) vite përvojë pune menaxheriale”, thotë “CorrWatch”.
“CorrWatch” thotë se kjo është hera e dytë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) ul kriteret për këtë pozitë.
“Në shkurt të vitit 2023, FSSh në konkursin e hapur për këtë pozitë, kishte kërkuar 5 vite përvojë pune profesionale dhe së paku tri (3) vite përvojë pune menaxheriale. Por që në mars 2023, pas dështimit të procedurës si pasojë e reagimit të ‘CorrWatch’, FSSh kishte rregulluar konkursin duke kërkuar tetë (8) vite përvojë pune profesionale dhe pesë (5) menaxheriale. Ndërsa tani kriteret janë ulur edhe më shumë, pra në pesë (5) vite përvojë pune profesionale dhe dy (2) vite përvojë pune menaxheriale. E gjithë kjo lëvizje dhe tendencë për zvogëlim të kritereve të përvojës lë dyshimin për kurdisje të kritereve për kandidatë të caktuar dhe gjetje nga jashtë të kandidatit preferencial që i përshtatet përvojës së zvogëluar”, thotë konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile.
“CorrWatch” thotë se është shumë e paqartë se mbi cilën bazë janë përcaktuar kriteret e lartëpërmendura për konkursin e tanishëm.
Madje, grupi thotë se ende më diskutabil mbetet fakti se si FSSH ka përcaktuar tri lloje krejtësisht të ndryshme kriteresh përsa i përket përvojës së kërkuar, në të tria procedurat rekrutuese që ka hapur për këtë pozitë.
“CorrWatch” konsideron se kërkesat e përgjithshme formale ku bën pjesë edhe përvoja e punës, janë vendosur në bazë të nivelit të detyrave dhe përgjegjësive që ka një pozitë specifike, “prandaj zvogëlimi dhe mospërmbushja e tyre është shkelje e rëndë e cila e bën të paligjshëm të gjithë konkursin dhe procesin i cili supozohet të zhvillohet në bazë të tij”.
“Ulja e kriterit të përvojës në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikueshme, për një pozitë siç është pozita e Drejtorit të FSSh, e rrënon praktikën e përgjithshme për pozitat e nivelit drejtues në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, kjo qasje ngrit dyshimin e bazuar nëse kandidati i përzgjedhur me këtë kriter mund ta përballojë nivelin e detyrave dhe përgjegjësive të kësaj pozite. Ne konsiderojmë se shkelja e identifikuar përveç që cenon rëndë legjislacionin, është në kundërshtim edhe me vetë parimin e meritokracisë i cili duhet të zbatohet në pozitat e larta drejtuese e ku hyn edhe pozita e Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, tha konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch”, i përbërë nga GLPS, GAP dhe INDEP.
