Çka thuhet në raportin e policisë për vdekjen e çiftit në Rahovec?

Në raportin 24 orësh, Policia ka dhënë detaje për vdekjen e çiftit në Rahovec.

“HETIM I VDEKJES- Rahovec 17.03.2024-NN. Raportohet se në shtëpinë e tyre, janë gjetur pa shenja jete një mashkull dhe një femër kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse , ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.”

Drejtoria rajonale e Policisë së Gjakovës dje përmes një komunikate për media ka njoftuar se dy personat u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre.

“Me datën 17.03.2024 rreth orës 12:25 jemi njoftuar se në fshatin Pataqan i Poshtëm në Rahovec, burrë e grua të moshës madhore janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ekipi mjekësorë të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimave”, thuhet në komunikatë.

Nga hetimet e para të zhvilluara, ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes si dhe dëshmive tjera të siguruara, Policia thotë se “dyshohet se deri tek vdekja e viktimave ka ardhur si pasojë e asfiksimit nga tymi, pasi kishte marr flakë një kolltuk nga një prizë elektrike”.

“Mirëpo, shkaktari zyrtar i vdekjes do të vërtetohet vetëm pas ekzaminimit mjeko ligjor, gjë e cila është urdhëruar nga prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar edhe rast “hetim i vdekjes””, thuhet në komunikatën e Policisë së Gjakovës.

Go to TOP