City ndalet nga Newcastle

Newcastle United ka arritur ta shfrytëzojë atmosferën elektrizuese të “St. James` Park” për të siguruar një barazim ndaj kampionit në fuqi të Premier League, Manchester City.

Ndeshja e zhvilluar në kuadër të Javës së gjashtë të kampionatit është mbyllur me rezultat 1-1.  

Dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë, City ka kaluar në epërsi falë një depërtimi të nga Grealish, i cili i ka dhënë mundësinë Gvardiol ta shënojë golin e parë për mysafirët.

 Me këtë rezultat është mbyllur edhe pjesa e parë.

E gjetur në disavantazh, skuadra e Newcastle është rikthyer më e fuqishme në pjesën e dytë dhe është shpërblyer shpejt me një penallti, pasi Anthony Gordon është rrëzuar nga Ederson. Vetë Gordon, që po luante si një numër nëntë i improvizuar, e ka realizuar penalltinë për të barazuar rezultatin në 1-1.

Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat kanë krijuar disa raste për të kaluar në avantazh, me gjuajtjet e Sean Longstaff dhe Bernardo Silva që kërcënuan të ndryshonin rrjedhën e lojës, por më nuk ka pasur asnjë gol.

Me këtë barazim, Manchester City vazhdon të kryesojë tabelën e Premier League, ndërsa Newcastle United pozicionohet në vendin e pestë.

Go to TOP