Çitaku: Të ketë hetim dhe të shkarkohet ambasadori Martin Berishaj
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Çitaku në një konferencë për media ka thënë se Qeveria është përpjekur t’a amnistojë këtë aferë, që sipas saj, një skandal i tillë po vazhdon të thellohet edhe më shumë.
“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga kryeministri Kurti. Por, përkundër se Qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdo herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal, apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot, shtrihen deri tek Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka thënë se rasti i ambasadorit Berishaj, i bën dëm Kosovës në politikën e jashtme, derisa ka thënë se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani është dashur të veprojnë me përgjegjësi ndaj ambasadorit Berishaj.
“Një kallëzim penal nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit, një aferë e thellë që i bën dëm imazhit të Kosovës, dhe vazhdimi i kësaj sage nëpër mediave ndërkombëtare edhe sot kur po flasim, nuk kanë qenë të mjaftueshme për kryeministrin Kurti, as për presidenten Osmani që ambasadorin Berishaj ta ballafaqojnë me përgjegjësi”, ka thënë Çitaku.
