Çitaku për Kurtin: Nëse as Biden as Trump nuk bëjnë, duhet ta shikosh veten në pasqyrë

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke theksuar prishjen e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Sipas Çitakut, qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të tjerë qeveritarë ka dëmtuar këto raporte përmes komenteve dhe qasjes kundër zyrtarëve të lartë amerikanë.

Çitaku vuri në pah që Qeveria fillimisht ka kërkuar largimin e ish-përfaqësuesit të SHBA-së, Richard Grenell, dhe pasi u zëvendësua nga Antony Blinken, ka vazhduar me kritika edhe ndaj këtij të fundit dhe përfaqësuesve të tjerë si Gabriel Escobar. Ajo theksoi se qasja e njëjtë ka vazhduar edhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë Miroslav Lajçakun, i cili fillimisht ishte i mirëpritur, por më pas u kritikua.

“Kosova ka arritur suksese të mëdha kur është koordinuar me aleatët tanë. Është mrekulli mënyra si jemi krijuar si shtet, dhe kjo mrekulli do të ishte e pamundur pa mbështetjen e fuqishme të aleatëve tanë”, tha Çitaku, duke i bërë thirrje Qeverisë për reflektim dhe përmirësim të qasjes.

Ajo gjithashtu komentoi mbi rëndësinë e konsistencës në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke theksuar se pavarësisht emërimeve të reja në administratat amerikane, përkrahja për Kosovën ka qenë e qëndrueshme si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. “Në tri dekadat e fundit, dallimet kanë qenë në nuance, por orientimet strategjike të SHBA-së në raport me Kosovën nuk kanë ndryshuar”, përfundoi Çitaku.

Go to TOP