Çipa: Mbetet gjeniali i letërsisë shqipe. Emancipoi shoqërinë përmes fjalëve, mbarti me dekada ‘Shqipërinë e mendimit’

Drejtori i News 24, Aleksandër Çipa, tha se ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë është një lajm i pikëlluar për të gjithë shqiptarët.

Çipa theksoi se Kadareja mbetet gjeniali i letërsisë shqipe. Sipas Çipës, Kadare emancipoi shoqërinë përmes fjalëve si dhe fitoi çmime prestigjioze ndërkombëtare në ShBA, Gjermani, Izrael etj.

Aleksandër Çipa: Ismail Kadare vlerësohet edhe në arenën ndërkombëtare. Kadare i ofroi lexuesit shqiptar emancipimin përmes fjalëve. Kadare mbetet gjeniali i letërsisë shqipe. Ai në veprat e tij shprehu edhe disidencën ndaj regjimit komunist. Kadare ishte shkrimtari që emancipoi shoqërinë përmes fjalës, qoftë në poezi, në ese ose në prozë. Ai më 1996 u bë anëtar i Akademisë të Shkencave Morale dhe Politike të Francës, akademi që është e famshme për autoritetin e saj, që ka pjesëtar 50 personalitete të rëndësishme globale.

Shkrimtari Kadare fitoi çmime botërore, duke iu imponuar ndërkombëtarëve, ai fitoi çmimin Asturias, ai ka marrë çmime të rëndësishme në ShBA, Gjermani, Izrael, që vijnë për shkak të peshës së madhe të veprave të tij. Kadare e mbarti me dekada të tëra Shqipërinë e mendimit. Në jo pak raste, mediat europiane e kishin Kadarenë si busull orientuese, sidomos për problemet ballkanike.

Me Kadarenë kemi folur për letërsinë shqipe. I kam thënë se në veprat e tij nuk kam vënë re detin, si dhe i kam thënë se nuk kam parë të trajtuar çështjen e Himarës. Nuk ka shkrimtar tjetër si Ismail Kadare që të jetë interpret i çështjes tonë kombëtare. Letërsia e tij për Kosovën ndihmoi në njohjen ndërkombëtare dhe e çoi zërin e Kosovës në Europë dhe më gjerë. Kosova ka qenë gjithmonë në veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Në momente të caktuara, Kadare sillte drejtpeshime të çështjes kombëtare. Po ashtu, Ismail Kadare, sjell në vëmendje të shqiptarëve jetën e arbërve, paraardhëseve të tyre, me qëllim që të bëjë me dije se shqiptarët janë komb vital. Kadare ishte mik dhe pritës në kancelaritë europiane, kryesisht në Paris. Të veçantë Kadarenë e bëri talenti i tij, që është krahasuar me Kafkën, me Eskilin. Ismail Kadare ishte një minierë krijimtarie. Ai spikati në të gjitha lëmitë e krijimtarisë, lëvroi edhe esenë, edhe novelat. Ai ishte pohues i të vërtetave dhe këtë e thoshin autoritete të vendeve me peshë botërore. Ismail Kadare me të drejtë tha që Shqipëria ka kapacitetet e Nobelëve të vet si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Martin Camaj etj. Sa i përket Nobelit, edhe Nikos Kazanzaqis nuk e mori këtë çmim, por sërish ai mbetet i vlerësuar. E rëndësishme është që marrëdhënia e Ismail Kadaresë me lexuesin botëror është ndërtuar. Sa duket, Kadare ka ndjekur idenë globale, që njeriu sa është i ri, tenton të ikë nga vendlindja, ndërsa kur rritet dhe kalon eksperienca në vende të tjera, dëshiron që jetën ta mbyllë në vendlindje. Shkrimtari Kadare është personalitet i madh i letërsisë, doja t’i shprehja ngushëllime dhe mirënjohje zonjës së tij Helena Kadare, pasi u kujdes për një gjeni të letrave, që dha shumë për shqiptarët.

Go to TOP