Çështja Januzi e Bahtijari: ZPS- do ta dorëzojë dosjen deri më 2 shkurt

Gjatë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes në çështjen Januzi dhe Bahtijari, gjykatësi i procedurës paraprake, Nikola Giju, me vendim gojor urdhëroi Prokurorinë që deri më 2 shkurt 2024 të dorëzojë dosjen paraprake.

Ndryshe Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër të akuzuarve më 2 tetor 2023. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën më 4 tetor e cila u bë publike më 6 tetor 2023.

Sipas aktakuzës, “Dëshmitari 1” është person që i ka dhënë ose ka të ngjarë t’i japë Task Forcës Hetimore Speciale (“TFHS”), ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së, informacion në lidhje me krime ose vepra penale të përfshira në juridiksionin e DhSK-së.

Sipas aktakuzës, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Januzi dhe z. Bahtjari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 për ta nxitur Dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë.

Më tej aktakuza deklaron se dy të akuzuarit, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me Dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Januzi dhe Bahtjari synonin ta frikësonin Dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari u arrestuan më 5 tetor në Kosovë dhe u transferuan në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 6 tetor 2023.

Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Go to TOP