Çështja e targave, Borrell takon Kurtin në Berlin: Djegia e makinave e papranueshme, marrëveshjet duhet të respektohen
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i ka quajtur të papranueshme veprimet përçarëse, si djegia e makinave të serbëve të cilët i kanë konvertuar targat ilegale në RKS.
Borrell ka thënë se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të respektohen.
Këto deklarata ai i ka bërë në llogarinë e tij në Twitter, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ku do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor.
“Më vjen mirë që takova kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen”, ka shkruar Borrell.
Tutje, ai ka bërë thirrje që “të gjithë të veprojnë të përmbajtur”.
“Diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizimin”, ka përfunduar ai.

