Çështja e komunikatave të UÇK-së
Avokati Ellis tani po i trajton pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e UÇK-së kanë kontribuuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit.
“Dëshmia e vetme e rëndësishme, sipas saj, është vetëm ajo që ka thënë komandanti i zonës, Rrustem Mustafa… përgjigja e tij përfundimtare ka qenë shumë e qartë, ai ka thënë se arsyeja kryesore që janë trajtuar personat që kanë penguar punën e UÇK-së ka qenë arsyeja ushtarake. Atij nuk i kujtohet asnjë komunikatë konkrete që t’i ketë dhënë atij autorizim që t’i trajtonte këta persona. Më pas, ai tha se nuk i nevojitej leje prej askujt që të ndalonte persona në zonën e tij. Ishte mbret i mbretërisë së tij. Ky ishte thelbi i dëshmisë së tij dhe, sipas nesh, kjo krijon dyshim të arsyeshëm sa i përket lidhjes së pretenduar shkakësore me zonën e Llapit”.
Sipas avokatit, Prokuroria është përpjekur që ta mbulojë këtë “problem të dukshëm” duke thënë në dosjen e saj se “dëshmia e Rrustem Mustafës është qarkore dhe kontradiktore”.
“Nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
