Çeferin është një tifoz special në derbin e Milanos, ja cila skuadër e ftoi në stadium
Ndeshja mes Interit dhe Milanit në Ligën e Kampioneve ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit, pasi përballë janë dy skuadra me histori mes tyre, ashtu si edhe në këtë turne. Përtej interesimit të tifozëve të cilët do të mbushin ”San Siro” ashtu si në sfidën e parë, në stadiumin e qytetit të Milanos sot do të jetë edhe një i ftuar special.
Aleksander Çeferin, presidenti i UEFA-s, do të jetë në tribunën VIP të kësaj ndeshje, pasi do të ndjekë nga afër duelin që ktheu lavdinë e dikurshme të futbollit italian në këtë turne. Çeferin është i ftuar nga një prej klubeve, më saktësisht Interi, teksa do të qëndrojë me presidentin e zikaltërve, Stiven Zhang, i cili ka qenë ai që insistoi për këtë vizitë.
Ndonëse Interi ka fituar 2-0 ndeshjen e parë, Çeferin vetëm pak ditë më parë theksoi se e shihte ndeshjen plotësisht të hapur. “Interi mund të ketë marrë një avantazh vendimtar në ndeshjen e parë, por, natyrisht, gjithçka është e mundur edhe në derbin e Milanos”, theksoi ai.
