Caroline Ziadeh flet mbi përvojën e saj si shefe e UNMIK-ut në Kosovë: Sfidat ende mbesin
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, njëherësh shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në një intervistë për UN News në gjuhën angleze, ka folur mbi përvojën e saj gjatë mandatit të saj dhe punën që UNMIK-u ka bërë për komunitetet në Kosovë.
Ndër momentet e paharrueshëm ajo përmend inaugurimin e Qendrës Barabar në Prishtinë, zbulimi i një murali mbi dhunën gjinore, i krijuar nga rinia e komuniteteve të ndryshme.
Përderisa sfidat ende mbesin, Kosova më ka mësuar që këmbëngulja mbizotëron, madje edhe në shoqëritë e ndara, dhe me respekt e kujdes, mund të na udhëheq në rrugën tonë përpara, përkujton Ziadeh.
“Shpresoj që njerëzit e Kosovës ta shohin UNMIK-un jo si një burokraci të paarritshme për ta, por si një partner të qëndrueshëm të përkushtuar jo vetëm ndaj përparimit politik, por edhe ndaj dinjitetit dhe përfshirjes njerëzore. E lë këtë funksion me një falënderim të madh për popullin e Kosovës, për partnerët dhe kolegët, si dhe për besimin që e bëri këtë punë të mundshme. Përderisa sfidat ende mbesin, Kosova më ka mësuar që këmbëngulja mbizotëron, madje edhe në shoqëritë e ndara, dhe me respekt e kujdes, mund të na udhëheq në rrugën tonë përpara.”
Intervista e plotë:
1. Gjatë tri vjetëve të kaluar keni udhëhequr misionin e OKB-së për paqeruajtje në kohë të fërkimeve të vazhdueshme gjeopolitike dhe dinamikave të ndërlikuara të brendshme. Kur ktheheni pas në mandatin tuaj, cilat momente, qofshin të mëdha apo të vogla, më së miri e ilustrojnë rrugëtimin drejt ndërtimit të besimit dhe angazhimit me komunitete në terren? A ka pasur ndonjë moment apo gjest të caktuar kthese që ka ndihmuar në fillimin e një ndryshimi më të gjerë?
Nëse i shikojmë tri vjet e gjysmë të kaluara, çka mbetet më së shumti në kujtesë nuk janë pikat kulmore formale apo takimet politike, edhe pse ato e kanë vendin e vet, por momentet më të qeta dhe më njerëzore, ku besimi, shpesh i pakapshëm, fillon të merr formën e vet në mënyra të dukshme.
Një moment i tillë ishte inaugurimi i Qendrës Barabar në Prishtinë. Kjo nuk ka qenë thjesht hapje e një objekti, por kulmim i viteve të dëgjimit, takimeve dhe të inkurajimit të komuniteteve për t’u angazhuar sipas mënyrës së vet. Ajo çka e bëri më të vërtetë të fuqishme ishte fakti se Qendra është themeluar jo nga OKB-ja, por përmes partneritetit me organizatat vendore Integra dhe CASA, të cilat përfaqësojnë pjesë të ndryshme të Kosovës dhe që kanë vendosur të udhëheqin së bashku.
Më kujtohet kur isha në një konferencë, duke shikuar sallën prej 250 pjesëmarrësve, duke filluar nga aktivistët e terrenit dhe udhëheqësit e rinj e deri te ekspertët dhe zyrtarët ndërkombëtarë, ku mendoja me vete – ja kështu duket ndryshimi i vërtetë. Për një moment, ndasitë e zakonshme pushuan dhe u zëvendësuan nga një ndjenjë e përbashkët e pronësisë së proceseve dhe e qëllimit. Kjo ndodhi jo se u thamë njerëzve që t’i besojnë njëri-tjetrit, por se krijuam hapësirën ku ata vendosen vet ta bëjnë një gjë të tillë.
Sigurisht, besimi nuk ndërtohet në një ngjarje të vetme. Ai kultivohet, përmes konsistencës dhe pranisë. Janë bërë tani dy vjet që nga hapja e qendrës, dhe Barabar është zgjeruar ndjeshëm, duke organizuar më shumë se 220 ngjarje shumetnike me pjesëmarrje të më shumë se 17000 personave. Ai moment theksoi për mua se, kur vendos besim në liderët lokalë dhe mbështet komunitetet në përcaktimin e rrugës së tyre përpara, ti çmon diçka shumë më të qëndrueshme se çdo proces i drejtuar nga jashtë. Besimi nuk është një dhuratë e dhënë; është një zgjedhje e bërë. Dhe kur njerëzit e bëjnë atë zgjedhje së bashku, ajo ndryshon gjithçka.
Një moment tjetër i paharrueshëm për mua ishte zbulimi i një murali mbi dhunën gjinore, krijuar nga rinia e komuniteteve të ndryshme. Ndërsa qëndroja së bashku me të tjerët kur murali u zbulua, pashë se si një mur i thjeshtë në zemër të Prishtinës ishte bërë një simbol i fuqishëm i ndërgjegjësimit dhe angazhimit të përbashkët për ndryshim—një moment që më kujtoi ndikimin e veprimit të drejtuar nga komuniteti dhe rëndësinë e dhënies së një zëri rinisë.
UNMIK-u ka mbështetur disa iniciativa për ndërtimin e besimit që bashkojnë njerëzit përmes muzikës, artit, sportit dhe aktiviteteve komunitare. Në rajonin e Mitrovicës, Festivali i Xhazit i Mitrovicës krijoi një hapësirë ku njerëz nga të gjitha profesionet u bashkuan përmes gjuhës së përbashkët të muzikës. Në një kamp lokal futbolli të mbështetur nga UNMIK-u, fëmijët nga komunitete të ndryshme luajtën dhe ndërtuan miqësi.
2. Kosova vazhdon të mbajë një balancë të brishtë midis përparimeve institucionale dhe tensioneve të pranishme. Sipas mendimit tuaj, cilat kanë qenë zhvillimet më të rëndësishme në avancimin e paqes dhe stabilitetit, dhe cilat janë njohuritë e arritura me mundim që kanë dalë për kufizimet dhe mundësitë e ruajtjes së paqes në një ambient politik kaq të ndjeshëm?
Një nga mësimet më të qarta të këtij roli ka qenë se përparimi në ruajtjen e paqes nuk shfaqet gjithmonë si marrëveshje e madhe ose pajtim publik. Ndonjëherë, është i qetë dhe i vazhdueshëm në mbajtjen e hapur të hapësirave thelbësore, veçanërisht kur klima politike kërcënon t’i mbyllë ato.
Një shembull kryesor është puna jonë në Grupin e Punës për Personat e Zhdukur (GPPZh). Ndërsa rrallë herë dominon titujt e gazetave, unë e konsideroj se përfaqëson një nga platformat më të rëndësishme të mbështetjes për paqe në Kosovë sot. Ajo mbetet një nga pak forumet funksionale që bashkon Prishtinën dhe Beogradin në shqetësimin humanitar, duke u përqendruar në dinjitetin e viktimave dhe të drejtat e familjeve të tyre.
Që në fillim të mandatit tim, ruajtja e kësaj hapësire ka qenë një prioritet profesional dhe personal. Përmes Zyrës sonë për të Drejtat e Njeriut, UNMIK vazhdon të ofrojë mbështetje teknike dhe politike për të garantuar që GPPZh të mbetet aktiv edhe kur dialogu në nivele më të larta dështon. E kam parë nga afër se sa e rëndësishme është të ruajmë këtë fokus humanitar pasi çështja e personave të zhdukur bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur me përgjegjësinë e kohës së luftës, qasjen në arkiva dhe me narrativët e kontestueshëm.
Ky ndryshim ka sjellë sfida. Besimi ka rënë, bashkëpunimi është ngadalësuar, dhe largimi i partnerëve si KNKK, të cilët ishin qendror për neutralitetin, ka shtuar pasigurinë. Por kur të tjerët e zvogëlojnë aktivitetin, ne duhet të forcohemi, jo për të zëvendësuar, por për të mbështetur. Prania dhe neutraliteti i gjatë i UNMIK-ut na mundësojnë të shërbejmë si një mbështetje për këtë punë të ndjeshme.
Ajo që është e qartë për mua është se dialogu teknik mbi çështje si qasja në arkivat ose identifikimi mund të përparojë vetëm nëse bazohet në përvojën e familjeve. Nevojat e tyre nuk mund të zëvendësohen nga bllokimet politike. Kjo është arsyeja pse unë vazhdimisht kam mbështetur një qasje të përqendruar te viktimat, duke siguruar që familjet të jenë të informuara, të mbështetura dhe të dëgjuara, jo vetëm simbolikisht, por strukturalisht.
Kufijtë e mbështetjes për paqen në kontekste si ai i Kosovës shpesh janë të përcaktuara nga mandati dhe politika. Megjithatë, mundësitë qëndrojnë në hapësirat që ne mbrojmë, zërat që ne forcojmë dhe punën e përkushtuar që ne refuzojmë ta braktisim, edhe kur përparimi është i ngadalshëm.
3. Ju gjithnjë e keni theksuar rolin e përfshirjes në ndërtimin e paqes, posaçërisht përmes agjendave për gratë, paqen dhe sigurinë dhe të atyre për paqen dhe sigurinë. Si janë përkthyer këto korniza në rezultate të prekshme në nivelin lokal dhe si duket zbatimi i mirëfilltë kur vet komunitetet janë në qendër të procesit?
Gjithëpërfshirja nuk është thjesht një parim, është një praktikë që duhet të rinovohet vazhdimisht sidomos në një kontekst si ai i Kosovës, ku trashëgimia e konfliktit ende përcakton se kush flet, kush dëgjohet dhe kush udhëheq.
Që nga ditët e para të mia si Përfaqësuese e Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, ishte e qartë se gratë dhe rinia nuk ishin vetëm palë të interesit, ato ishin tashmë ndërtues të paqes, shpesh duke udhëhequr në heshtje nga margjinat. Roli im, dhe i misionit, ka qenë të sjell ato përpjekje në qendër, jo si një gjest, por si një njohje e asaj që kërkon paqja e qëndrueshme.
Gjatë vitit të kaluar, ky angazhim ka kaluar nga politika në praktikë. Nëpërmjet agjendave GPS dhe RPS, ne kemi mbështetur dhjetëra iniciativa në nivel komuniteti, duke përfshirë 36 aktivitete programore dhe 23 projekte ndërtimi besimi që vendosin gratë dhe rininë jo vetëm në tryezë, por shpesh në krye të saj. Këto nuk janë angazhime të rastësishme, ato janë të dizajnuara për të ndërtuar udhëheqje, për të nxitur rrjete dhe për të ndryshuar normat me kalimin e kohës.
Një shembull i paharrueshëm ishin Ditët Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Larg ceremonialeve, këto forume ofruan një hapësirë pune ku gratë nga të gjitha profesionet, duke përfshirë komunitetet jo-shumicë, dhanë rekomandime konkrete për të rimodeluar politikën lokale, për të përmirësuar krijimin e politikave të përfshirjes gjinore dhe për të përballuar barrierat e përditshme. Qartësia dhe insistimi i tyre ishin mbresëlënëse: kjo agjendë nuk ka të bëjë me simbolizmin, por me strukturën, fuqinë dhe përfaqësimin.
Një përvojë shpërblyese për mua ishte pjesëmarrja në Programin e Mentorimit të Liderëve të Ardhshëm, i nisur nga UNMIK-u në partneritet me UN Women Kosovo dhe Universitetin e Prishtinës. Të shihja 25 gra të reja që lidhnin kontakte me mentorë me përvojë, që zhvillonin aftësitë e tyre të liderizmit, fitonin besim dhe ndërtonin rrjete të forta ishte frymëzuese.
Një tjetër e arritur ishte Asambleja Vjetore e OKB-së për Rininë, e cila bashkon të rinjtë nga e gjithë Kosova dhe rajoni që janë të apasionuar për të bërë ndryshim. Ky forum frymëzues inkurajon të rinjtë të këmbejnë idetë, të zhvillojnë shkathtësitë e udhëheqjes dhe të ndërmarrin veprime domethënëse drejt të ardhmes më të mirë. Përmes diskutimeve intensive dhe projekteve, këta udhëheqës të rinj modelojnë ndryshimet pozitive në komunitetet e tyre dhe demonstrojnë fuqinë e rinisë në drejtimin e përparimit të Kosovës.
Gjatë viteve, UNMIK-u ka avancuar në mënyrë aktive misionin e tij duke përdorur zyrat e tij për të lehtësuar dialogun dhe për të ndërtuar bashkëpunim me palët e interesit. Po ashtu, në partneritet me organizatat lokale dhe ndërkombëtare si OSBE, EULEX dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, UNMIK ka mbështetur iniciativa që promovojnë dialogun ndërkomunitar, qeverisjen gjithëpërfshirëse, pjesëmarrjen qytetare, të drejtat e njeriut, reformën e drejtësisë, fuqizimin e rinisë, arsimimin dhe barazinë gjinore.
Në nëntor të vitit 2023, ne mblodhëm 120 përfaqësues nga komunitete të ndryshme, shoqëria civile, media dhe institucione në Forumin e Ndërtimit të Besimit të Kosovës të Kombeve të Bashkuara në Selanik, Greqi. Së bashku, ata punuan për krijimin e 27 rekomandimeve të qarta dhe praktike për të ndihmuar në promovimin e përfshirjes, drejtësisë dhe bashkëpunimit midis komuniteteve.
Që nga viti 2019, me mbështetje nga UNMIK-u, Instituti Ligjor i Kosovës ka ofruar ndihmë juridike falas për më shumë se 1500 raste gjyqësore—duke ofruar mbështetje jetike për ata që kanë nevojë, përfshirë gratë dhe komunitetet jo shumicë. Ne krenohemi shumë me këtë partneritet dhe me ndikimin e vërtetë që vazhdon ta ketë.
Unë gjithmonë kam thënë se ruajtja e paqes sot nuk ka të bëjë thjesht me praninë, por me qëllimin. Qëllimi nënkupton të krijosh qëllimisht dhe me këmbëngulje hap për ata që janë përjashtuar prej kohësh. Do të thotë të dëgjosh me përulësi, të veprosh me konsistencë dhe të investosh me kuptimin se përfshirja nuk është bamirësi, por strategji. Kur shoh përparim, nga OJQ-të lokale, që nxisin qëndrueshmërinë ekonomike për gratë deri te dialogu i drejtuar nga të rinjtë që thyejnë ndarjet etnike, unë shoh të ardhmen e ndërtimit të paqes në veprim. Është më e ngadaltë, po, por më e thellë dhe e zotëruar nga ata që duhet të shërbejë.
4. Si dikush që ka punuar në shoqëritë e pas konfliktit dhe thellësisht të ndara, si e kanë formësuar këto përvoja punën tuaj? Në momentet e bllokimit ose heshtjes, cila perspektivë personale ju ndihmoi të qëndroni të qetë, dhe si e ka informuar aftësinë tuaj për të lundruar në vijat e ndarjes sociale dhe historike në Kosovë?
Të punosh në shoqëri të pas konfliktit, të ndara, më mëson se progresi rrallë ndjek një rrugë të drejtpërdrejtë. Rruga shpesh është me zigzage, ndonjëherë edhe dhimbshëm e tillë. Ka intervale të gjata ku asgjë nuk lëviz. Dialogu ngulfatet. Besimi tërhiqet. Në këto momente, është e lehtë të ndihet pesha e historisë që të shtyp nga të gjitha anët.
Por, gjatë viteve, kam mësuar të vlerësoj ato pauza, të dëgjoi me vëmendje atë që nuk thuhet. Në vendet e shënuara nga trauma, heshtja nuk është mungesë por dëshmi. Ajo mban dhimbjen, mosbesimin dhe të vërtetat e pathëna. Nëse ne rezistojmë të mbushim atë heshtje me narrativin tonë, ajo mund të na udhëheqë drejt asaj që vjen më pas.
Ajo që më ka mbajtur të fokusuar është një angazhim për qëndrueshmëri dhe të qenit prezent, veçanërisht kur bisedat ndalen ose tensionet rriten. Unë gjithashtu besoj thellë në dëgjimin para se të flas. Të gjitha qendrat sociale dhe politike të Kosovës janë jashtëzakonisht komplekse. Navigimi i tyre kërkon heqjen e supozimeve, investimin e kohës, fitimin e besimit dhe kuptimin se çdo komunitet ka një kujtim të ndryshëm të ngjarjeve të njëjta.
Kjo do të thotë të ndërtohen marrëdhënie të qeta, takimet me njerëzit aty ku janë dhe të lejohet që liderët e komunitetit, mbijetuesit dhe rinia të tregojnë se ku qëndron puna e vërtetë, jo vetëm në tavolinat e negociatave, por në klasat e shkollave, kooperativat e grave, grupet e rinisë dhe rrjetet informative ku pajtimi rrënjoset ose tërhiqet.
Kam mësuar se progresi shpesh ndodh jo në ambientet formale, por përmes akteve të vazhdueshme të ndërlidhjes dhe qëndrueshmërisë së komunitetit që mbijeton gjatë pas lajmeve të ditës. Kjo njohuri ka udhëhequr lidershipin tim, duke u përqendruar jo vetëm në angazhimin politik, por në kultivimin e lidhjeve bazë që mbështesin paqen.
5. Ndërsa e dorëzoni timonin dhe hyni në kapitullin tjetër të udhëtimit tuaj, çfarë trashëgimie shpresoni të lini, jo vetëm për misionin, por për rajonin dhe njerëzit që vunë besimin e tyre në këtë institucion? Dhe çfarë udhëzimi do t’u ofronit atyre, veçanërisht ndërtuesve të rinj të paqes, që do ta vazhdojnë këtë punë në një botë ku vetë multilateralizmi vetë është nën presion?
Ndërsa përgatitem të dorëzoj këtë përgjegjësi, mendimet e mia nuk shkojnë te titujt e gazetave apo dorëheqjet, por te momentet kur besimi fillon të rritet.
Nëse ka një trashëgimi që shpresoj të lë, ajo do të jetë një trashëgimi e besimit dhe përkushtimit: një institucion që ishte i pranishëm, që dëgjoi dhe që mbeti i angazhuar edhe kur rruga përpara ishte e paqartë. Shpresoj që njerëzit e Kosovës ta shohin UNMIK-un jo si një burokraci të paarritshme për ta, por si një partner të qëndrueshëm të përkushtuar jo vetëm ndaj përparimit politik, por edhe ndaj dinjitetit dhe përfshirjes njerëzore.
Gjatë kohës sime këtu, kam punuar për të krijuar hapësira për dialog dhe për t’i dhënë mundësi rinisë dhe grave të udhëheqin sipas kushteve të tyre. Kam kërkuar të mbroj hapësira të brishta por thelbësore. Më së shumti, kam synuar të siguroj që misioni të mbështesë komunitetet së bashku me to dhe jo përpara tyre. Nëse kjo frymë e pronësisë së ndarë mbetet pjesë e ADN-së së UNMIK-ut, atëherë do të jem thellësisht mirënjohëse që kam kontribuar në të.
Kam ca fjalë edhe për brezat e ardhshëm të ndërtuesve të paqes, posaçërisht për ata që sapo kanë filluar këtë rrugëtim: mos e konsideroni heshtjen si dështim apo përparimin e ngadalshëm si mungesë e ndikimit. Një pjesë e madhe e ndërtimit të paqes ndodh në mënyrë të qetë, në dëgjim dhe në përpjekjen afatgjatë për ndërtimin e besimit. Roli ynë nuk është që t’i kemi të gjitha përgjigjet, por që të vazhdojmë me përkrahjen e procesit derisa zgjidhjet të lulëzojnë vet.
E lë këtë funksion me një falënderim të madh për popullin e Kosovës, për partnerët dhe kolegët, si dhe për besimin që e bëri këtë punë të mundshme. Përderisa sfidat ende mbesin, Kosova më ka mësuar që këmbëngulja mbizotëron, madje edhe në shoqëritë e ndara, dhe me respekt e kujdes, mund të na udhëheq në rrugën tonë përpara.
