Cakolli: Debati për Presidentin, skenar për zgjedhjet e parakohshme
Eugen Cakolli ka vlerësuar se e gjithë periudha e fundit e diskutimeve për çështjen e Presidentit nuk ka pasur si synim zgjidhjen e krizës institucionale, por ka shërbyer si parapërgatitje për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Sipas tij, më shumë sesa arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit, fokusi ka qenë në “arkivimin” e refuzimeve dhe ndërtimin e një arsyetimi publik për dështimin, i cili tashmë ka nisur të shfaqet dhe pritet të intensifikohet në ditët dhe javët në vijim.
Cakolli ngre pikëpyetje edhe për qëndrimet kontradiktore gjatë procesit duke përmendur se fillimisht është folur për një prag prej 84-85 deputetësh për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa tani, pavarësisht ofertave shtesë në negociata – madje edhe për një pjesë të qeverisë – nuk sigurohen më shumë se 80-81 vota, të cilat ai i cilëson si të pasigurta.
Ai gjithashtu kritikon faktin se pozita e Presidentit, për të cilën vendi ka qëndruar në krizë për gati një vit, është ofruar lehtësisht në negociata duke ngritur dyshime për sinqeritetin e procesit. /Kosova.info/
