Caka-Nimani: Inicialet e grave të vrara, dështim i shtetit

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese , Gresa Caka-Nimani, në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore ‘Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive”, ka deklaruar se inicialet e grave të vrara janë dështimi i shtetit dhe shoqërisë.

“Inicialet e grave të vrare nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që iu janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e shoqërisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur disa raste të ndryshme të femicidit, teksa edhe ka potencuar që institucioni që drejton ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë në raste të ndryshme, raporton RTKlive.

“Që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë në rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej Gjykata sërish konstaton të njëjtën në rastin e Sebahate Morinës”, ka thënë ajo.

Caka-Nimani i ka cilësuar ato si thirrje për bashkërendim e mobilizim.

“Sigurisht që praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, duhet të ketë rol parësor në zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazitë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë”, ka thënë deklaruar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani.

Go to TOP