Borrell: Pa Ballkanin, identiteti evropian nuk është i plotë

“Identiteti evropian s’është përfunduar ende dhe s’do të përfundojë derisa të gjitha vendet e Ballkanit t’i bashkohen familjes evropiane”. Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai është nderuar me çmimin evropian “Dr. Alois Mock” nga Ministria e Jashtme e Austrisë.

Çmimi iu dorëzua nga Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, në një ceremoni ku morën pjesë ministra nga rajoni.

Në fjalimin e tij, kryediplomati evropian diskutoi sfidat me të cilat po përballet Evropa. Ai tha se tregtia i bashkonte vendet në BE, ndërsa tani fokusi është te siguria për shkak të sfidave të shumta.

Borrell theksoi se identiteti evropian nuk do të jetë i plotë derisa të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e familjes evropiane.

“Ne jemi aktualisht në një epokë historike, sepse momentalisht jemi duke u përpjekur të bashkojmë Evropën duke çmontuar kufijtë, sepse kufijtë janë plagë në tokën tonë” ka thënë mes tjerash Borell.

Ndërkohë, Schallenberg tha se Ballkani Perëndimor “nuk është oborri i pasmë  i Evropës por më tepër qendra e Evropës dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të përshpejtojmë ndjeshëm procesin e anëtarësimit”.

Go to TOP