Borrell: Jemi të shqetësuar për mungesën e konsultimeve paraprake të Kosovës për dinarin

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se institucioni që ai përfaqëson është i shqetësuar me mungesën e konsultimeve paraprake të Kosovës në lidhje me rregulloren e BQK-së, e cila prek dinarin serb.

Në një përgjigje të dhënë në emër të Komisionit Evropian, ai thotë se themelimi i Asociacionit është “obligim për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar”, raporton Klankosova.tv.

Borrelli kujton se Asociacioni buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e lidhur nga palët, Kosova dhe Serbia, në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Meqenëse palët nuk treguan gatishmëri për t’u angazhuar në negociata rreth statutit të Asociacionit, BE-ja hartoi Draft Statutin Evropian (EDS), i cili u konsultua me ekspertë juridikë ndërkombëtarë dhe respekton Marrëveshjet relevante të Dialogut dhe kornizën ligjore të Kosovës (si dhe vijat e kuqe të palëve për aq sa është e mundur)”.

Ai thotë se ky draft-statut, më 21 tetor 2023, iu prezantua ndaras kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Më 26 tetor 2023, Kosova informoi BE-në se do ta pranonte EDS-në me kusht që Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi i saj dhe EDS të nënshkruheshin zyrtarisht” nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, thotë Borrelli në këtë deklaratë të publikuar të mërkurën mbrëma.

Megjithatë, ai njofton se “Presidenti i Republikës së Serbisë përjashtoi çdo formë nënshkrimi”.

Që atëherë, thotë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, përfaqësuesit e Kosovës nuk janë përfshirë në diskutime për Asociacionin.

Tutje, ai flet për edhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Shefi i diplomacisë evropiane thotë se “kjo rregullore prek çështjet që do të negocioheshin në lidhje me Asociacionin (p.sh. statusi dhe financimi i institucioneve të administruara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në kornizën institucionale dhe ligjore të Kosovës)”.

Ndër të tjera, ai thotë se “BE-ja është e shqetësuar për mungesën e konsultimeve paraprake dhe pasojat që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën”.

“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e saj në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, tha Josep Borrell në këtë deklaratë.

Go to TOP