Borell u çon mesazh Kurtit e Vuçiqit: Mos bëni me shenja, do ta përcjellim se a po e zbatoni marrëveshjen

Kryediplomati evropian, Josep Borell ka arritur tashmë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, prej ku ka konfirmuar se do të flasë edhe për marrëveshjen e Ohrit që u arrit mes Kosovës dhe Serbisë. Çka tha ai para gazetarëve?

Shefi i diplomacisë evropiane e bëri të qartë se “çfarëdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen është e kotë”.

“Sa u përket takimit dhe marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, më lejoni të them që çfarëdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë. Për marrëveshjen është bërë pajtueshmëri, duhet të zbatohet dhe nuk ka hapësirë për të zgjedhur e për të kapur” – ka thënë ai.

Madje, Borell duket të ketë pasur edhe një mesazh specifikisht për dy liderët, Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq, të cilët këto ditë kanë folur për marrëveshjen edhe në publik.

Ai ka këshilluar që “të mos bëhet me shenjë nga askush”.

“Është një tërësi, duhet të zbatohet në të gjitha pjesët, në mënyrë të plotë dhe ne do të përcjellim për së afërmi se kush është duke e zbatuar e kush jo dhe unë do t’i këshilloja ata që të mos bëjnë me shenjë nga askush, por ta bëjnë punën e tyre” – tha ai.

Postimi i famshëm i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë këtyre ditëve bëri një postim në Twitter, mjaft të çuditshëm, por i cili deri më tani ka arritur të marrë gati 450 mijë klikime.

Në postimin e tij, Kurti mes tjerash deklaronte që presidenti i Serbisë Vuçiq e kishte refuzuar një propozim të tij për Asociacionin.

“A është ai Dr. No apo Z. Nyet?” – pyeti ironikisht në postim z. Kurti.

Sa i përket deklaratës së lartëpërmendur të z.Borell, nuk dihet nëse ky i fundit e ka pasur fjalën edhe për këtë postim të kryeministrit Kurti, kur këshilloi palët që “të mos bëjnë me shenja”.

Samiti

Sot dhe nesër në Bruksel pritet të zhvillohet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, ku bëhet e ditur se liderët do të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar pajtimi i arritur në Ohër do të jetë edhe pjesëe konkluzave që do të dalin nga ky takim.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe me mirëbesim të implementojnë obligimet e tyre përkatëse.” – raportohet se shkruan në tekstin e cituar nga medium në fjalë.

Po ashtu, është bërë e ditur se disa shtete në BE kanë kërkuar “kujdes të shtuar”, dhe të sigurohet se po zbatohet plotësisht marrëveshja.

Vlen të përmendet se Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e propozimit evropian në një takim në Ohër që zgjati pothuajse gjatë gjithë ditës.

“Më vjen keq për brengosjen që mund ta kenë përjetuar (qytetarët) gjatë kësaj dite maratonike. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes… tash edhe me aneks. I takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Sa i përket Aneksit, ai do të publikohet në portalin e BE-së dhe aty do ta kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka.” – kishte thënë kryeministri Kurti pas përfundimit të këtij takimi.

Go to TOP