Betimi i kryetarëve në veri, deklarohet EULEX-i

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke ndjekur nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së njësisë së saj të formuar policore dhe njësisë policore të formuara rezervë.

Ata në një përgjigje kanë thënë se këtë monitorim po e bëjnë në koordinim me këshilltarët e tyre të lartë policor dhe stafit tjetër të pranishëm në zonë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Niveli i gatishmërisë është rritur me rastin e betimit të kryetarëve të rinj të zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.

Nga EULEX-i thonë se janë në gatishmëri 24 orë për të reaguar nëse është nevoja.

“Përveç kësaj, një Forcë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë, me kohë shumë të shkurtër reagimi. Duke marrë parasysh ceremoninë e betimit, EULEX-i ka rritur nivelin e gatishmërisë së tij”, kanë thënë nga EULEX-i.

Nga ky mision kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovë, nëse kjo nevojitet ose kërkohet.

“Njësia e Formuar Policore e Misionit dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse nevojitet, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.

Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, mbeten të bëjnë betimin edhe ata të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Nga të tri këto komuna, vetëm Zubin Potoku ka asamble funksionale.

Bashkësia ndërkombëtare ka njohur ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 23 prillit, por ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen në zgjedhje të partive nga komuniteti serb.

Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se ka pasur një pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhje dhe se zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

Nga blloku evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje politike, në bazë të së cilës, serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës.

Go to TOP