Besa Famgas në finale

Besa Famgas, skuadra më e suksesshme në historinë e Kupës së Kosovës në hendboll, ka siguruar pa vështirësi kualifikimin në finalen e këtij edicioni.

Pejanët kanë fituar të shtunën ndaj Vushtrrisë me rezultat bindës 42:24, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Fituesja e katërmbëdhjetë trofeve të Kupës e ka kontrolluar plotësisht lojën, pa e vënë në asnjë moment në dyshim fitoren dhe kalimin në finale.

Jon Vokshi ka shkëlqyer me 15 gola të shënuar, ndërsa Olsi Mulaj dhe Amar Muqolli kanë dhënë kontribur me shtatë, respektivisht, gjashtë gola për Besën.

Në anën tjetër, Vushtrria, që e ka synonuar trofeun e parë të Kupës, nuk ia ka arritur t’i përballojë sulmet e furishme të Besa Famgasit. Egzon Ademi ka qenë më i miri për vushtrriasit me dymbëdhjetë gola të realizuar.

Në finale Besa Famgas do të përballet me fituesin e përballjes ndërmjet Kastriotit dhe Rahovecit, ndeshje e cila zhvillohet sonte nga ora 20:00. /Kosova.info/


Go to TOP