Berisha (PDK): Internacionalja Socialiste përkrah Qekon – rikthimi i aleancës së vjetër mes komunizmit dhe globalizmit kundër Kosovës kombëtare
Në prag të balotazhit për Kryetar të Prishtinës, një letër mbështetëse e ardhur nga Internacionalja Socialiste për kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrulla Qeko, ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, e ka cilësuar këtë veprim si “rikthim të aleancës së vjetër mes komunizmit dhe globalizmit sorosian kundër Kosovës kombëtare”.
Berisha tha se përkrahja e Internacionales Socialiste për kandidatin e Vetëvendosjes zbulon fytyrën e vërtetë ideologjike të këtij subjekti – një strukturë globale të majtë që mbledh në të njëjtën tryezë trashëgimtarët e regjimeve që kanë vepruar kundër shqiptarëve.
“Në këtë ‘familje’ ideologjike ku tashmë bën pjesë edhe Vetëvendosje, ulen bashkë Ivica Daçiq, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë – partisë që udhëhoqi makinerinë e krimit kundër shqiptarëve – dhe Georges Papandreou i PASOK-ut grek, një ndër figurat që ka mbështetur qëndrime anti-shqiptare në rajon,” tha Berisha.
Sipas tij, të gjithë këta politikanë, nën siglën e Internacionales Socialiste, predikojnë “progres, drejtësi dhe barazi”, por në praktikë kanë sjellë “centralizim, varfëri dhe nënshtrim ideologjik”.
“Që Internacionalja Socialiste, e njëjta që mban në gjirin e saj strukturat politike të Serbisë së Millosheviqit, të përkrahë sot kandidatin e Vetëvendosjes në Kosovë, është jo vetëm paradoksale, por edhe fyerje ndaj kujtesës sonë kombëtare,” theksoi ai.
Deputeti i PDK-së paralajmëroi se kjo përkrahje është pjesë e një projekti globalist që synon “shkrirjen e identiteteve kombëtare dhe krijimin e një njeriu të ri pa komb, pa Zot dhe pa dinjitet – një produkt tipik i laboratorëve socialistë ndërkombëtarë”.
Berisha shtoi se kandidati i Vetëvendosjes, Hajrulla Qeko, është vetëm “instrumenti lokal i këtij projekti ideologjik” dhe se filozofia e tij politike nuk përfaqëson shpirtin e lirë e patriotik të Prishtinës.
“Prishtina ka lindur studentët, dijetarët dhe luftëtarët më të mëdhenj për lirinë e Kosovës. Ajo nuk mund të udhëhiqet nga një ideologji që flet për barazi, por përfundon në varfëri, kontroll dhe zhdukje të çdo dallimi kombëtar e moral,” deklaroi Berisha.
Në fund, ai e quajti këtë përkrahje “sinjal alarmi” për Kosovën:
“Në qendër të Prishtinës po përpiqet të rrënjoset një ideologji që mohon çdo gjë që e ka mbajtur gjallë kombin tonë. Ky është rreziku më i madh – jo më me tanke serbe, por me doktrina që duan ta fshijnë nga brenda,” përfundoi Hisen Berisha. /Kosova.info/
