Berisha nga PDK: Dobërdelani ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, tani është koha për zhvillim dhe mundësi të reja
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Dardan Berisha, ka zhvilluar takim me banorët e fshatit Dobërdelan, një vend me histori të pasur dhe kontribut të madh në lirinë e vendit.
Berisha e vlerësoi Dobërdelanin si një simbol të krenarisë kombëtare dhe të përkushtimit ndaj shtetit të Kosovës duke kujtuar sakrificat dhe rolin e banorëve të tij si në luftë ashtu edhe në ndërtimin e institucioneve pas saj.
“Dobërdelani është fshat me histori krenare, që ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Ky fshat nuk dha vetëm luftëtarë të lirisë, por edhe kuadro të çmuar në ndërtimin e shtetit pas luftës,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se vizioni i tij dhe i ekipit të PDK-së synon të sjellë mbështetje konkrete për komunitetet rurale, me fokus në zhvillimin ekonomik, infrastrukturë dhe përmirësimin e jetës së banorëve.
“Sot jemi këtu për të nderuar këtë trashëgimi dhe për të vazhduar rrugën e zhvillimit. Me vizionin tonë të qartë dhe me përkushtimin e kandidatëve tanë për asamble, do të punojmë që Dobërdelani të ketë mbështetje konkrete dhe mundësi të reja për çdo familje,” shtoi Berisha.
Takimi u mbyll me thirrjen e tij për bashkim rreth programit të PDK-së dhe përkrahje për ndryshimin që synon ta sjellë në Suharekë.
#191PDK
#KryetarDardanBerisha
#MaMirePerSuhareken
#Doberdelan /Kosova.info/
