Berisha: Me punë dhe përkushtim do ta ndërtojmë një Suharekë moderne e dinjitoze

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Dardan Berisha, ka zhvilluar një takim me qytetarët në qendër të Suharekës, ku u prit me entuziazëm dhe përkrahje nga banorët lokalë.

Berisha tha se Suhareka është e njohur për njerëzit e saj punëtorë, të përkushtuar dhe plot energji për zhvillim, ndërsa theksoi se kjo energji do të shndërrohet në projekte konkrete që sjellin ndryshim të prekshëm në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Suhareka ka potencial të madh njerëzor dhe ekonomik. Me mbështetjen tuaj më 12 tetor, do ta sjellim fitoren dhe do ta ndërtojmë bashkë një Suharekë moderne, me më shumë mundësi dhe më shumë dinjitet,” tha Berisha.

Në takim morën pjesë edhe kandidatët për Asamblenë Komunale nga nëndega e qytetit të Suharekës: Demokrat Vataj, Rexhep Gashi, Agnesa Elshani dhe Burhan Sejdiu. Berisha u shpreh se me ekipin e tij do të punojnë me zemër për qytetin dhe për të gjithë komunën duke vendosur në qendër të qeverisjes interesin e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Suharekës. /Kosova.info/


Go to TOP