Berisha: Mazhoranca, përmes sabotimit, shkel ligjet e Kushtetutës
Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tregoi arsyet e dështimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për nivelin e menaxhimit të punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, mospajtimet e deputetëve të partive opozitare për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Berisha, duke u ndalur në arsyet e dështimit të këtij komisioni, tha se ky komision, si çdo komision tjetër, është tejet serioz, derisa u shpreh kritik për mënyrën e menaxhimit të kësaj situate, duke vënë në pah kohën e kaluar prej gati tre muajsh dhe asgjë nuk është evidentuar në letër, përderisa ka një gamë të gjerë të vendimeve të marra nga ministria përkatëse, teksa vuri në pah një ngjarje në të kaluarën kur, sipas tij, është suspenduar komplet diplomacia, ku brenda një viti nuk ka pasur asnjë komunikim me botën.
“Tanimë është në proces të hetimit veprimet se si është menaxhuar dhe duhet parë se si është udhëhequr politika e Jashtme nga kjo ministre”, deklaroi Berisha në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Berisha shtoi se mazhoranca, sot për sot, ka mundësi ta sabotojë punën e çdo institucioni në Kuvend, ndonëse nuk ka të drejtë dhe, për më tepër, shtoi ai, është shkelje ligjore dhe kushtetuese.
Ai tha se shumica parlamentare udhëhiqet nga papërgjegjësia dhe sabotojnë punën e këtyre komisioneve, derisa shtoi se ka edhe komisione të tjera që kanë përfunduar punë e tyre pa rezultat, sepse nuk kanë lejuar që të bëhet hetim për aktivitetet që janë zhvilluar në institucionet përkatëse.
“Kjo është papërgjegjësi e madhe, sepse një herë po saboton votën e qytetarëve që ka marrë besimin e tyre, pastaj votën e gjithë votuesve në Kuvend, sepse ne votohemi nga deputetët dhe tani, me veprimin e sotëm, kemi abuzuar me ato vota dhe janë sabotuar pritjet e qytetarëve”, deklaroi Berisha.