Berisha: Kah po e çoni LDK-në? Partia po humb besimin nga mungesa e qartësisë dhe komunikimit
Avokati Besnik Berisha ka reaguar me tone të forta ndaj gjendjes aktuale në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) duke ngritur shqetësimin se partia po kalon një nga periudhat më të rënda të saj dhe po humb lidhjen me elektoratin tradicional.
Në një reagim publik, Berisha thekson se kritika e tij nuk buron nga interesat personale, por nga përgjegjësia morale ndaj një partie me të cilën është rritur dhe për të cilën ka dhënë kontribut pa përfituar asgjë në këmbim. Sipas tij, rënia e LDK-së nuk është më as e fshehtë dhe as e ngadalshme, ndërsa zhgënjimi i votuesve dhe pasiguria në struktura janë bërë të dukshme.
“Shumë degë e nëndegë kanë mbetur pa orientim. Njerëzit nuk e dinë se çka po ndodh dhe as kah po shkon partia. Kjo mjegull po krijon distancë mes LDK-së dhe votuesit të saj tradicional”, shkruan Berisha.
Ai vlerëson se ajo që i mungon më së shumti LDK-së nuk është mbrojtja publike apo relativizimi i situatës, por sqarimi i sinqertë dhe komunikimi i hapur me elektoratin. Sipas tij, votuesit nuk kërkojnë arsyetime apo fajtorë, por drejtim të qartë dhe ballafaqim me realitetin.
Berisha kujton se LDK ka qenë historikisht më e fortë në momentet kur ka pasur guximin të flasë hapur me njerëzit e saj, edhe në kohët më të vështira duke shtuar se sot ky guxim është më i domosdoshëm se kurrë. Ai nënvizon se nuk ka rëndësi kush qëndron në krye të partisë, por që ajo të mos mbetet në mjegull dhe që votuesit të mos ndihen të harruar apo të anashkaluar.
“LDK nuk ka nevojë për zbukurim të realitetit. Ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe orientim të qartë”, thekson ai duke shtuar se partia nuk mbahet nga një rreth i privilegjuarish, por nga besimi i votuesve.
Në fund, Berisha zbulon se ditëve të fundit ka marrë dhjetëra kërkesa për t’u angazhuar në mbrojtje të partisë përmes rreshtimeve personale, por ka refuzuar duke theksuar se LDK-së sot i duhet e vërteta dhe qartësia, jo mbrojtja e interesave individuale.
“Një parti humbet jo kur kritikohet, por kur nuk e dëgjon më askënd”, përfundon reagimin e tij Besnik Berisha. /Kosova.info/
