BE emëron Antero Alfarela Oliveira Lopes në krye të EULEX-it në Kosovë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar Antero Alfarela Oliveira Lopes në detyrën e shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ai do ta marrë detyrën më 10 gusht 2026, me një mandat fillestar prej 10 muajsh.

Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të BE-së, Lopes është një drejtues i lartë portugez me përvojë të gjerë ndërkombëtare, i specializuar në diplomaci, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e sektorit të sigurisë. Ai ka më shumë se katër dekada përvojë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë mbi 25 vjet në Kombet e Bashkuara.

Gjatë karrierës së tij, ai ka shërbyer në Forcën Mbrojtëse të OKB-së në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë (UNPROFOR), si dhe për gjashtë vjet në Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), ku ka fituar përvojë të gjerë në udhëheqje strategjike, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin me qeveritë e partnerët ndërkombëtarë.

Në qershor të vitit 2025, Këshilli i Bashkimit Evropian e zgjati mandatin e EULEX-it në Kosovë për edhe dy vjet, deri më 14 qershor 2027.


Go to TOP