Bënin gara shpejtësie me vetura, policia gjobit dy shoferë në Rahovec
Policia e Rahovecit ka ndëshkuar dy shoferë, të cilët me automjetet e tyre, më 22 shtator 2025, kishin bërë gara shpejtësie dhe rrezikonin pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Veprimet e policisë u bazuan në informata të qytetarëve dhe verifikimin e kamerave të sigurisë.
“Gjatë realizimit të detyrave të tyre ligjore dhe bazuar edhe në informata të qytetarëve si dhe në verifikimin e kamerave të sigurisë, kanë ndërmarr masa ligjore ndaj dy shoferëve lidhur me kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njëri nga shoferët u gjobit me 500 euro, mori 4 pikë negative dhe iu ndalua drejtimi i automjeteve për 12 muaj, ndërsa tjetri u paraqit në gjykatë për kundërvajtje dhe ngasje pa patentë-shofer.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, duke pasur parasysh se shpejtësia mbi normat e lejuara dhe pjesëmarrja në gara të paligjshme paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
