Behrami: Vjosa Osmani vazhdoi fshehurazi mandatin e EULEX-it dhe Gjykatës Speciale – pa debat dhe pa kushte

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar ashpër Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për veprim të fshehtë dhe skandaloz në lidhje me vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe, rrjedhimisht, të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Sipas Behramit, Presidentja Osmani ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe pa transparencë duke bërë shkëmbim letrash me Bashkimin Evropian për zgjatjen e pranisë së misionit të EULEX-it në vend, pa përfshirë publikun dhe institucionet përkatëse në debat.

“Kjo është bërë në mënyrë tinëzare, pa debat publik, në mënyrë të fshehtë. Presidentja po e fsheh përmbajtjen e marrëveshjes”, deklaroi Behrami duke shtuar se vazhdimi i mandatit të EULEX-it është i papranueshëm, sidomos pas padrejtësive të shumta që, sipas tij, janë bërë nga Gjykata Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Behrami theksoi se Presidentja është dashur të vendosë kushte para vazhdimit të mandatit, përfshirë kërkesën që EULEX të japë garancitë e nevojshme për lirimin nga paraburgimi dhe mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

“Presidentja nuk negocioi asgjë, nuk vendosi asnjë kusht. EULEX-i është mekanizmi kryesor i Gjykatës Speciale në Kosovë dhe kjo marrëveshje e fshehtë vetëm sa e forcon edhe më tej rolin e tij”, shtoi Behrami. /Kosova.info/

Go to TOP