BE e përqendruar në zgjidhje diplomatike për situatën në Iran
Kryediplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vlerësojnë se ende ka hapësirë për të gjetur një zgjidhje diplomatike për situatën në Iran.
Në takimin e rregullt të ministrave të jashtëm, u diskutua për Iranin në dritën e sulmeve të fundit amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore të këtij shteti.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, vlerëson se Iranit nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë armë bërthamore, pasi sipas saj, kjo do të përbënte një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare.
“Ministrat janë shumë të përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. Gjithashtu, shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzim të konfliktit janë të mëdha – veçanërisht mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe aspak e mirë për askënd”, tha ajo.
Zyrtarët evropianë, që nga e premtja, para sulmeve amerikane, kishin zhvilluar kontakte me ministrin e jashtëm iranian. Sipas Kaja Kallasit, Irani kishte treguar gatishmëri për të diskutuar jo vetëm çështjen bërthamore, por edhe tema më të gjera të sigurisë që shqetësojnë Evropën.
