BE bën thirrje për paqe dhe përmbajtje përpara zgjedhjeve të prillit në veri të Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano tha sot se duhet të krijohen rrethana për të mbajtur një proces paqësor zgjedhor më 23 prill në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje.

Stano tha për Radion Evropa e Lirë se “zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë” dhe në këtë kontekst tha se BE-së i vjen keq që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, por ajo refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës me arsyetimin se kërkesat e tyre për kthim në institucionet e Kosovës, gjegjësisht formimin e Asociacionit të komunave me shumicw serbe dhe largimi i njësive speciale të Kosovës nga veriu, nuk janë përmbushur.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut janë caktuar për 23 prill, pasi kryetarët nga Lista Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të veturave me targa të Kosovës.

Më parë, më 24 mars, vendet e Quint-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) gjithashtu shprehën keqardhjen e tyre që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje dhe nënvizuan se ato ishin caktuar në përputhje me ligjet”.

Go to TOP