Baze tregon çka i tha Thaçi: Pse nuk e takoi ai delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë

Gazetari shqiptar, Mero Baze, në vizitën që realizoi me ish-presidentin Hashim Thaçi në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, të cilën e përshkruan nëpërmjet një shkrimi editorial, flet edhe për vizitën e zyrtarëve të Ministrisë të Drejtësisë atje.

Sipas shkrimit editorial të Bazes, Thaçi refuzonte t’i takonte ata pasi që ata nuk kishin bërë mjaftueshëm për ish-krerët e UÇK-së. Sipas këtij shkrimi, në të cilën citohen fjalët e ish-presidentit, qeveria e Shqipërisë ishte ajo e vetmja që iu doli në krah të akuzuarve në Hagë.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, citohet nga Baze të ketë thënë ish-presidenti.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila mbrëmë tha se Thaçi dhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, refuzuan ta takonin.

“Ne kemi pasur një vizitë në Gjykatën Speciale, përpos zotit Thaçi dhe Veseli që nuk kanë dashur të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, kemi takuar zotin Krasniqi, Selimi dhe Gacati. Thaçi e Veseli nuk kanë dashur të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ajo.

Ish-krerët e UÇK-së sot kanë bërë një vit prej se janë dërguar për në Hagë për t’u gjykuar për krime të supozuara lufte. 

Go to TOP