‘Barazo Faturën’, çdo cent ndihmon fëmijët e SOS Fshatit
Duke barazuar faturën, secili nga ne mund të kontribuojë në mbështetjen e mbi 600 fëmijëve, pa kujdes prindëror, në kujdesin e SOS Fshatrave të Kosovës.
Fushata ‘Barazo faturën’, që tashmë ka nisur, është një iniciativë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të mobilizojë qytetarët që edhe me disa centë shtesë mbi faturë, të bëjnë një ndryshim të madh në jetën e këtyre fëmijëve.
“Për shembull nëse fatura është 4.97, 3 cent të tjera mundeni me i ndarë për fëmijët e SOS Fshtatit dhe ta barazoni faturën në pesë euro. Qëllimi i kësaj fushate është mbështetja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes për të cilët kujdesemi ne këtu në SOS Fshat. Aktualisht janë 30 fëmijë që jetojnë me neve, dhe rreth 600 të tjerë të cilët ne i mbështesim”, tha Shpend Juniku, përgjegjës për mbledhje të fondeve nga korporatat.
Sivjet është viti i 13-të, që qytetarët u vënë dorë këtyre fëmijëve, ndërkohë që nga praktika përgjatë viteve, përgjegjësit e mbledhjes së këtyre fondeve, nënvizojnë ndikim pozitiv duke pritur interesim edhe më të madh.
“Nëpërmjet fushatës ‘Barazo Faturën’ ka pasur një rritje të konsiderueshme të interesimit të vet qytetarëve që të japin kontributin e tyre, e që përveç fushatës mund të kontribuojnë edhe nëpërmjet uebfaqes”, shtoi Juniku.
“Barazo Faturën” do të vazhdojë të jetë e hapur pa limit kohor duke i ofruar mundësi që çdo qytetari të kontribuojë dhe të bëhet pjesë e një ndryshimi, në jetën e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes.
