Bajrami: Qeveria po tenton të blejë vota me miliona euro në prag të zgjedhjeve
Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë duke i cilësuar ato si keqpërdorim të rëndë të buxhetit shtetëror në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas saj, ndarja e rreth 100 milionë eurove javën e kaluar dhe 2 milionë euro shtesë për bileta së fundmi, përbën një përpjekje të drejtpërdrejtë për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve. Bajrami thekson se këto mjete publike po përdoren jo për mirëqenie afatgjatë, por për përfitime elektorale.
Ajo ka renditur një sërë sektorësh që, sipas saj, janë lënë pas dore, përfshirë infrastrukturën rrugore, ndërtimin e shkollave dhe çerdheve, digjitalizimin në arsim, furnizimin me barna në spitale dhe çmimet e larta të naftës.
“Janë paratë e qytetarëve me të cilat po tentohet të blihet vota dhe heshtja për katër vitet e ardhshme”, ka deklaruar Bajrami duke shtuar se një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë në historinë e Kosovës.
Në fund, ajo e ka cilësuar këtë qasje si të turpshme dhe të papranueshme duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e, siç e quan ajo, manipulimeve në prag të zgjedhjeve. /Kosova.info/
